Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, tha se pret që në mesin e muajit dhjetor në Qendrën Klinike Universitare të nisë ofrimi i shërbimit për fertilitet të asistuar mjekësor (IVF).
Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Vitia tha se në repartin për IVF në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës “kanë ardhur të gjitha aparaturat” për këtë metodë.
Megjithatë, ai tha se përveç aparaturave, nevojiten edhe barna të caktuara hormono-stimuluese, të cilat, sipas Vitisë, janë futur në listën e barnave esenciale dhe kanë nisur procedurat për sigurimin e këtyre barnave.
Vitia tha se ofrimi i këtij shërbimi do të jetë shumë më i lirë për çiftet që duan të kenë fëmijë.
“Dy seancat e para do të jenë pa pagesë, ndërsa të tjerat janë me çmim shumë më të ulët sesa kanë qenë deri tash”, tha ai.
Ndonëse, ditë më parë vetë Vitia në një postim ka njoftuar se ky shërbim do të bëhet me 0 euro.
Për shkak të mungesës së ligjit adekuat, procedura e IVF-së deri më tani në Kosovë është ofruar vetëm nga institucionet private të lincenduara.
Fertizilimi me IVF kushton mijëra euro dhe vetëm çiftet e martuara në Kosovë mund t’i nënshtrohen kësaj metode.
Vitia po ashtu foli për mungesën e ligjit adekuat. Por, ai tha se ka një udhëzim administrativ që është në fuqi, që sipas tij është i pamjaftueshëm, por ai do të përdoret për të funksionalizuar nisjen e ofrimit të këtij shërbimi.
Ministri i Shëndetësisë tha se udhëzimi aktual administrativ nuk mundëson që të ketë monitorim të institucioneve publike dhe private e as të sanksionohen ato në rast të shkeljeve eventuale.
IVF-ja është një metodë fertiliteti, së cilës i nënshtrohen personat që nuk mund të lindin fëmijë në mënyrë natyrale.
Përmes kësaj procedure, ekipi mjekësor heq vezët nga vezoret e një gruaje dhe më pas i fekondon ato me spermë në laborator. Embrionit të fekonduar i jepen disa ditë për t’u rritur dhe më pas ai vendoset në mitrën e gruas. Procesi zakonisht zgjat katër deri në gjashtë javë.
Por, as kjo metodë nuk është 100 për qind e suksesshme.
Çështja e ofrimit të shërbimit të IVF-së, po ashtu ka bllokuar miratimin në Kuvendin e Kosovës të një projketligji tjetër, atë për shëndetin riprodhues.
Ky projektligj ka dështuar të miratohet, pasi kundërshtohet nga disa deputetë të partisë në pushtet, të cilët nuk duan që gratë e pamatuara dhe partnerët e gjinisë së njëjtë të mund t’iu nënshtrohen metodës së IVF-së.