Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia u ka bërë thirrje qytetarëve që sonte nga ora 20:00, të ndriçojnë me ngjyrë të kaltër për nder të ditës së personave me autizëm.
Vitia këtë e ka bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka thënë se duhet t’u jepet hapsirë më shumë këtyre personave, transmeton Gazeta Sinjali.
“Sot është dita botërore e Autizmit. Teksa qëndrojmë në shtëpi sot në mbrëmje le të ndriçojmë me të kaltër për të gjithë këta persona të veçantë. Ata munden, t’u japim hapësirë. Në ora 20:00, nga ballkonet tona të ndriçojmë me të kaltër për autizmin”, ka shkruar Vitia në Facebook.
Sot është Dita Botërore e Autizmit, e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.
Shënimi i kësaj dite është vendosur më 2 prill 2007 dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore.
Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm./Gazeta Sinjali/