Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon debati për pandeminë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka insistuar se është i gatshëm të marrë përgjegjësi nëse vërtetohet sa ka refuzuar të nënshkruajë udhëzimin për blerjen e vaksinës antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.
Vitia i ka reaguar deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, lidhur me vaksinimin e popullatës. Berisha ka thënë se është tragjedi që nuk janë vaksinuar në Kosovë as 1 për qind e popullatës.
“Unë kam thënë se do të kem përgjegjësi ligjore e morale. Nëse kam refuzuar të nënshkruar diçka, unë do të jap përgjegjësi morale. Në anën tjetër zoti Berisha të thuash se është dashur të vaksinohen 15 për qind e popullatës kur s’kemi gjet asnjë vaksinë, po edhe të kishte qenë dikush supermen skish mundur me vaksinuar për 30 ditë 15 për qind të popullatës, është jashtë normales”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, deputeti Bekë Berisha e kritikoi ministrin Vitia për vendosjen e orës policore.
Vitia u kundërpërgjigj duke i thënë se të gjitha masat që merren diskutohen me të gjithë akterët institucionalë.
“Të gjitha masat që merren me mistrinë diskutohen me shumë akterë. Kërkesa për masa rigoroze janë bërë në vitin 2020. Këto masa i kemi analizuar. Sa i përket efektshmërisë në javën e kaluar janë raste më pak fatale. Sistemi shëndetësor ka marrë frymë lirisht sesa javën e kaluar”, tha Vitia.
Ministri i Shëndetësisë ka folur edhe vaksinën AstraZeneca për të cilën ka thënë se është sigurt dhe do të vazhdojnë ta marrin. /Gazeta Sinjali/