image Vitia e Zemaj kërkohen të jenë dëshmitarë në Komisionin Hetimor për COVID-19

Shëndetësi

Vitia e Zemaj kërkohen të jenë dëshmitarë në Komisionin Hetimor për COVID-19

news image

Ka përfunduar mbledhja e parë e Komisionit Hetimor për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit nga ana e ish-Qeverisë së Kosovës, në krye me Albin Kurtin.

Pas konstituimit të komisionit është hapur debati, ku Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës si inicuese, ka thënë se dy çështje pse është bërë ky komision, janë çështja e karantinës dhe humbja e të riut Agon Musliu, karantimi selektiv dhe masat që janë shpallur antikushtetuese.

“Kemi çështjen e testeve dhe furnizimet e barnave dhe keqpërdorimet si dhe testet nga Serbia se a ka qenë e domosdoshme dhe procedura”, tha Hoxha.

Shkumbin Demaliaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar që pjesë e dëshmitarëve të jetë edhe Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Te lista e dëshmitarëve të jetë edhe ministri i ri i shëndetësisë për shkak të deklarimeve të tij, që ka pasur përkeqpërdorime”, tha Demaliaj.

Bekim Haxhiu, nga PDK-ja, ka kërkuar që në debate të jetë i pranishëm si dëshmitar edhe ish-ministri i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti, Arben Vitia.

“Duhet të thërrasim si dëshmitar edhe Arben Vitinë edhe zv.ministrat që kanë qenë dhe udhëheqësit e zonës së karantinës, dhe pas kësaj përgjegjësit në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës, më 4 qershor të vitit 2020 ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga ana e Qeverisë. 74 kanë votuar për themelimin e këtij komisioni, që sipas propozueses, deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, do të merret me gjithçka që ka të bëjë me pandeminë, me atë që është bërë nga Qeveria Kurti, dhe gjithashtu do të hetojë vdekjen e Agon Musliut në Qendrën e Studentëve derisa ishte i karantinuar.

Anëtarë të këtij komisioni janë zgjedhur: nga VV-ja, Mimoza Kusari-Lila – kryesuese, Labinotë Demi-Murtezi e Fatmire Mulhaxha Kollçaku, nga LDK-ja, Ekrem Hyseni, Ilir Ferati e Veton Berisha, nga PDK-ja, Eliza Hoxha – zv.kryesuese e Bekim Haxhiu, nga AAK-ja, Shkumbin Demaliaj, nga Lista Serbe, Milosh Peroviq, nga Nisma-AKR, Endrit Shala.

Formimin e komisionit e pati mbështetur edhe Vetëvendosje./Gazeta Sinjali/