Për të kremtuar festën e Vitit të Ri, shumë nga qytetarët përpos mjeteve piroteknike, përdorin edhe armët e zjarrit. Kjo është një dukuri shqetësuese, pasi që cenon sigurinë e njerëzve përreth, të cilët në shumë raste e kanë pësuar nga plumbat qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në Hajvali të Prishtinës në minutat e parë të vitit 2023. Një qytetar e ka pësuar nga një armë zjarri të cilën s’dihet se kush e shkrepi.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se 36-vjeçari është dërguar atje me plagë në këmbë. Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e viktimës është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë deklaratën e 36-vjeçarit dhe një të afërmi të tij që ishte dëshmitar i rastit.
Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërsa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.