image Vihet gurthemeli i Qendrës Nacionale të Xhudos

Sporte Luftarake

Vihet gurthemeli i Qendrës Nacionale të Xhudos

news image

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, morën pjesë në vënien e gurthemelit të Qendrës Nacionale të Xhudos, e cila do të ndërtohet në lagjen “Asllan Qeshme” të Pejës, aty ku lindën kampionë të shumtë të xhudos.

Vënia e gurëthemelit u bë nga ministrja për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), Vlora Dumoshi, presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK), Agron Kuka dhe trajneri, Driton Kuka.

Qendra Nacionale do të financohet nga MKRS dhe FXHK, ndërsa pritet të përfundojë para Lojërave Olimpike (LO) Tokio 2020, që do të mbahen prej 23 korrik – 8 gusht të vitit të ardhshëm.

Në fjalën e tij, presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, duke uruar për investimin madhor, tha se vetëm infrastruktura u ka munguar xhudistëve tanë.

“Pas LO Rio 2016, sportistët dhe trajnerët janë pyetur se cilët janë faktorët e suksesit dhe kanë theksuar pesë sosh: vullneti, trajneri, financat, garat e forta dhe e pesta infrastruktura. Ju katër i keni pasur dhe tani po ju ndërtohet edhe e pesta. Andaj, në emër të KOK-ut, uroj që të shfrytëzohen këto pesë elemente, dhe bazuar në zemrën që e keni më të madhe se sa trupin, besoj se do të ktheheni me suksese edhe nga LO Tokio 2020”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.

Ministrja Dumoshi, duke kujtuar premtimin që ua kishte dhënë drejtuesve të FXHK-së, për ndërtimin e kësaj Qendre, tha se këtë investim e ka përkrahur me shumë dëshirë, pasi bazuar në sukseset e xhudistëve, ishte nevoja që ata të kenë edhe një Qendër të tillë, derisa uroi që sukseset të shtohen edhe në LO Tokio 2020.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, theksoi se është kënaqësi dhe privilegj të jesh i pranishëm në ndërtimin e kësaj qendre, në të cilën shtoi se do të ushtrojnë kampionët e tashëm dhe të ardhshmit. “Uroj që punët të na ecin mbarë, me shpresë që vitin e ardhshëm, nisjen drejt Lojërave Olimpike ta bëjmë nga kjo Qendër e përfunduar”, deklaroi Kuka.

Edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, uroi që punimet të kryhen sa më shpejtë.

Qendra do t’ju shërbejë xhudistëve për përgatitje në rrugën drejt sukseseve të ardhshme në garat ndërkombëtare.

Fotografia e Kosovo Olympic Committee