Në Hogosht të Kamenicës është vendosur gurthemeli i kullës së atdhetarit Rexhep Mala, njërit prej personaliteteve më të shquara të Lëvizjes Kombëtare.
Ministri i Kulturës Kujtim Gashi është shprehur i nderuar për përjetësimin e kullës së atdhetarit qe nuk e kurseu jetën për çlirimin e Kosovës.
“Sa herë që i kujtojmë heronjtë, dëshmorët e Atdheut, ne ndjejmë frymëzim për të jetësuar idealet e tyre, për të cilat, ata e dhanë jetën, e ky sakrifikim i tyre u bë fanar i lirisë, i ekzistencës sonë si komb dhe si racë shqiptare! Prandaj, sot e për mot, përulemi ndaj veprës heroike të tyre, dhe ndjejmë se, liria e Kosovës, sikur me luftën e UÇK-së së përndritur, është shkruar me gjakun e heronjve, siç ishte edhe, Rexhep Mala me shokë.”, ka shkruar ministri Gashi.
Ai ka vlerësuar se kulla do të jetë e rëndësishme për kujtesën historike, kombëtare, për banorët e Hogoshtit dhe të gjithë qytetarëve të vendit. /Sinjali/