image Videoja e tradhton të miturin, policia i gjen kallashnikov në shtëpi në Istog

Siguri

Videoja e tradhton të miturin, policia i gjen kallashnikov në shtëpi në Istog

news image

Një video-incizim ka çuar në zbulimin e një arme automatike në Istog, ku një i mitur dyshohet për posedim të paautorizuar të armës.

Rasti është raportuar më 8 prill, ndërsa ngjarja lidhet me fshatin Drejë.

Siç mëson Sinjali, policia ka siguruar një video ku shfaqeshin rrethana që ngritnin dyshime për posedim të armës së zjarrit nga i dyshuari G.Z.

Pas kësaj, njësia e hetuesisë ka siguruar urdhër kontrolli nga Gjykata dhe ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë automatike AK-47, dy karikatorë, 46 fishekë të kalibrit të panjohur. 

Gjatë intervistimit, i mituri ka pranuar posedimin e armës, duke deklaruar se së bashku me një shok e kishin gjetur në një pyll afër shtëpisë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurorja kujdestare për të mitur, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor për 24 orë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/