Adelina Sejdini, 46-vjeçare e lindur në Durrës të Shqipërisë, dyshohet se ka kryer vetëvrasje, duke u hedhur nga një urë në Itali.
Ajo kishte bashkëpunuar me autoritetet italiane për të shkatërruar një grup mafioz që shfrytëzonte vajzat për prostitucion.
Sipas medieve italiane, falë bashkëpunimit të saj me policinë, u arrestuan 40 persona dhe 80 të tjerë u kallëzuan penalisht. Të gjithë të arrestuarit ishin pjesë e mafies shqiptare që kontrollonte shfrytëzimin e prostitucionit në gjithë Italinë.
Mediat italiane raportojnë se ajo kishte frikë të kthehej në Shqipëri, ngase mund ta vrisnin ata të cilët i kishte çuar pas grilave.
“Nëse kthehem në Shqipëri, jam grua e vdekur, kam frikë se mos më vrasin ata që janë arrestuar atëherë”, kishte thënë ajo.
Ajo për vite me radhë kishte kërkuar statusin e refugjatit në Itali, por që gjithmonë i është refuzuar. Shteti italian i premtoi mbrojtje në mënyrë që ajo të denonconte tutorët e saj, por pavarësisht kësaj, një mbrojtje të tillë ajo nuk e mori kurrë.
Sejdini jetonte në Pavia dhe ishte e sëmurë me kancer, shpesh ajo shtrohej në spital në San Matteo.
Pasi u arratis nga shfrytëzuesit e saj, ajo denoncoi organizatën dhe në vitet në vijim punoi gjithashtu përkrah City Angels për të ndihmuar prostitutat e reja, viktima të shantazhit, për t’u çliruar nga ajo skllavëri.
Në Itali shkoi në moshën 22-vjeçare më 1996 dhe që prej asaj kohe nuk ka marrë dot shtetësinë italiane.
Më 28 tetor ajo i vuri flakën vetes para Ministrisë së Brendshme, por shqiptarja u shpëtua dhe më pas u transportua në spitalin Santo Spirito, me djegie të rënda. Pas kësaj ajo tentoi të fliste me presidentin italian, Sergio Mattarella, ose të paktën me disa nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, por që nuk ia arriti që të takonte asnjërin prej tyre./Gazeta Sinjali/