Lëvizja Vetëvendosje, ka dalur në mbështetje të punëtorëve të Aeroportit “Adem Jashari”, të cilët për tri ditë me radhë po mbajnë grevë. Përmes një kominikate për media, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se i mbështetë punëtorët e aeroportit dhe konsideron se kërkesat e tyre janë legjitime dhe duhet të plotësohen.
“Lëvizja Vetëvendosje qëndron në solidaritet me punëtorët e organizuar rreth Sindikatës së Pavarur të ANP-së dhe mbështet veprimet e tyre sindikale. Kërkesat e tyre janë legjitime, ato duhet të realizohen”, thuhet në komunikatë.
Vetëvendosje konsideron se në kohën kur fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës po shtohen dhe fitimet për kompaninë private po rriten, të drejtat e punëtorëve po shkelen çdo ditë e më shumë.
“Thirrjet e menaxhmentit për ta anuluar grevën dhe protestën do të ishin legjitime, nëse punëtorëve do t’u ofrohej dialogu nga menaxhmenti dhe drejtësia nga shteti. Por, punëtorët po përballen me arrogancën e menaxhmentit dhe injorimin e shtetit. Ditëve të fundit madje u është ndaluar hyrja në punë një numri të grevistëve, e veprime të tilla nga ana e menaxhmentit duhet të ndalen sepse punëtorët dhe sindikata kanë të drejtë për t’u organizuar në greva”, thuhet tutje në deklaratë.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka kohë që ka paralajmëruar dëmet e politikave neoliberale të imponuara mbi ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës dhe i ka kundërshtuar ato.
“Imponimi është bërë në forma të ndryshme, herë privatizim e herë koncesionim, por rezultatet kanë qenë të njëjta: shpronësim i qytetarëve e shkelje e të drejtave të punëtorëve”, thuhet në reagimin e LVV.
Eliminimi i dallimeve në paga, pagesa për përvojën e punës, pagesa për orët e punës gjatë vikendit dhe të drejta të tjera që parashihen në Ligjin e Punës, janë vetëm disa nga kërkesat e punëtorëve të ANP “Adem Jashari” të cilët po mbajnë grevë.