image Vetëvendosje: Asociacioni ka vdekur

Politikë

Vetëvendosje: Asociacioni ka vdekur

news image

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe nënkryetarja e kësaj partie, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, pritën sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Takimi kishte karakter njoftues mbi punën e Komisioneve Parlamentare dhe rolin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në raport me to.

Ambasadori Szunyog vuri theks të veçantë te Projektligji për Financimin e Partive Politike dhe votimin për zgjedhjen e komisionarit për Mbrojtje të të Dhënave Personale dhe Privatësi. Ai po ashtu tha se agjenda evropiane duhet të jetë prioritet i të gjitha subjekteve dhe grupeve parlamentare.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje e njoftuan ambasadorin për punën e Kuvendit, me theks te interpelancat të cilat janë mbajtur deri tani, e tjerat që priten të mbahen në javët në vijim.

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se e sheh të dëmshëm vendimin e qeverisë për shuarjen e Task-forcës së Anti-korrupsion dhe për këtë tha se duhet kërkuar llogari.

Ajo tha se komisioni që drejton do të bëjë çmos që kjo çështje ta marrë vëmendjen dhe trajtimin e duhur.

Ndërsa, Rexhep Selimi në lidhje me marrëveshjen e Asociacionit të Komunave Serbe ripërsëriti qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila që nga fillimi e ka konsideruar të dëmshme dhe tashmë e sheh edhe të vdekur, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015./Gazeta Sinjali/