image Veterani i UÇK-së e vendos shtëpinë me tokë në shitje për lirimin e Thaçit dhe të tjerëve

Sociale

Veterani i UÇK-së e vendos shtëpinë me tokë në shitje për lirimin e Thaçit dhe të tjerëve

news image

Zyrtari i Zyrës së Gjendjes Civile në fshatin Bare të Mitrovicës, Zenel Ferati, e ka vendosur në shitje shtëpinë e tij me 1 hektar tokë, në mënyrë që paratë e mbledhura t’i dhurojë për mbrojtjen e ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ferati për Gazetën Sinjali tha se çmimi i shtëpisë së tij, e cila ndodhet në rrugën “Habib Osmani” në Bare, së bashku me tokë, do ta shes 100 mijë euro.

Të gjitha këto mjete ai thotë se do t’i dedikojë për mbrojtjen dhe lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçit dhe të gjithë ish-eprorëve të UÇK-së që, sipas tij, po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Ai thotë se këtë veprim e ka shtyrë dëshira dhe dhimja e madhe që ndjen për bashkëluftëtarët e tij.

“Dëshira dhe dhimbja e madhe që e kam për ata njerëz që po mbahen padrejtësisht dhe që janë marrë pikërisht në kohën kur Kosova ka më së shumti nevojë për ta. Ata sot gjenden të mbyllur në Hagë, ku nuk dëgjohet zëri i tyre për Kosovën. Kur e tërë Evropa dhe Bashkësia Ndërkombëtare është në kyç për të bërë bisedime me Serbinë për ndarjen dhe copëtimin e trojeve shqiptare, pikërisht njerëzit që kanë dhënë më së shumti për Kosovën dhe njerëzit më eminent të Pavarësisë së Kosovës, largohen padrejtësisht, qëllimisht që të mos marrin pjesë në këto procese aq të rëndësishme që janë për shqiptarët”, tha ai.

Ferati i cili edhe vetë ka qenë ushtar i UÇk-së tha se të gjithë duhet ta dinë se UÇK nuk ka kryer asnjë krim ndaj popullsisë civile dhe të asnjë anëtari të asnjë komuniteti që jeton në Kosovë.

“Sot padrejtësisht të gjithë ushtarët e UÇK-së akuzohen se gjoja kanë bërë krime në Kosovë. Pikë dyshimi nuk ka, le ta dinë e gjithë bota mbarë që ushtarët dhe UÇK janë të pastër si loti. Asnjë krim ndaj serbëve, romëve apo cilido komuniteti që ka jetu në Kosovë, asnjë dhunë, asnjë masakër, nuk e ka bë UÇK-ja”, tha ai.

Veterani i UÇK-së apeloi që të ngritet në këmbë i gjithë populli dhe të ngris zërin për padrejtësinë që thotë se po u bëhet këtyre figurave, të cilat thotë se po i mungojnë shumë Kosovën, në këto kohë kur janë duke u zhvilluar procese të ndjeshme.

“Dëshiroj dhe kam kënaqësi që sa më shpejtë të lirohen dhe kisha pasë dëshirë që jo vetëm unë, por çdo shqiptar, që i thotë vetës shqiptar dhe që e don Kosovën më shumë se veten, të ngritin zërin dhe të bëjnë protesta dhe gjithçka për lirimin e tyre”, tha ai.

Ai tha se ka persona të interesuar për ta blerë tokën e tij, të cilët janë lajmëruar, por më shumë thotë se janë interesuar mediat./Gazeta Sinjali/