Janë rreth 74 mijë persona të regjistruar në Kosovë si persona me aftësi të kufizuar, e vetëm 26 mijë prej tyre përfitojnë mbështetje financiare. Shoqata që përfaqëson të drejtat e tyre thotë se është obligim i shtetit që t’iu ofrojë mbështetje dhe qasje në punësim.
Kështu u tha në takimin mes kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj me anëtarët e Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës, HANDIKOS.
Haradinaj tha se ka ende shumë për të bërë për këta persona, si zbatimi i ligjit për punësim, sigurimi i mbështetjes për organizatat dhe funksionalizimi i këshillit nacional për drejtat e këtyre personave.
Krahas kësaj, drejtori i Handikos-it Afrim Maliqi tha se organizatat janë krijuar si reagim i gjendjes së vështirë, me të cilat personat me aftësi të kufizuar përballen. Sipas tij, janë 15 për qind e popullatës që janë të prekur me çfarëdo kufizimi.
“Në regjistrimin e popullatës 2011, kemi një evidencë që personat me aftësi të kufizuar, diku 73 ose 74 mijë persona janë të regjistruar, ndërsa edhe prej këtij numri diku 26 mijë përfitojnë disa mbështetje financiare, e që do të duhej të mbështeten edhe më tutje. Ne kemi edhe një strategji 10-vjeçare që i përkasin çështjes së personave me aftësi të kufizuar, aty është edhe plani i veprimit, e që vitin e ardhshëm ne mendojmë ta realizojmë, por sigurisht që gjitha këto gjëra që po përmendën këto janë obligim i shtetit, Qeverisë dhe linjave përkatëse që duhet të merren dhe t’i zbatojnë ato në raport me të drejtat e njeriut”, tha Maliqi./Gazeta Sinjali/