Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze që eskalojnë, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Kështu ka ndodhur ditë më parë në fshatin Sllatinë të Podujevës, ku tre zyrtarë policor janë sulmuar derisa kanë qenë në kryerje të detyrës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i dyshuar është Qerim Mehmeti, rreth 25 vjeçar, i cili pas incidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të fshatit Murgull.
I dyshuari kishte tentuar të godiste një veturë policore me një kamion në lëvizje, kështu duke i rrezikuar jetën e policëve.
Të njëjtit i është bastisur shtëpia, ku Policia ka gjetur një fishek të armës AK-47, një karikator të së njëjtës armë, si dhe 19 radiolidhje dore, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se pas kërkimeve intensive, sot, i dyshuari është vetëdorëzuar në Polici.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar që rasti të iniciohet për dy vepra penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë, hetimet për këtë rast vazhdojnë dhe pritet të zbulohen rrethanat rreth përplasjes me Policinë, si dhe origjina e qëllimi i mbajtjes së pajisjeve të sekuestruara.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.