Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në fshatin Kuzmin të Fushë Kosovës, ku si pasojë e një vetaksidenti humbën jetën dy persona, përfshirë një të mitur.
Siç raportoi Sinjali, mbrëmë pas orës 22:00, është raportuar një aksident trafiku me pasoja fatale, ku një veturë ka dalë nga rruga dhe është përplasur, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse dy personave që gjendeshin në të.
Si pasojë e vetaksidentit, viktimë e rastit ishte 27-vjeçarja Heroina Haliti – Aliu, e cila drejtonte automjetin dhe Anita Vrellaku, 17-vjeçare, që ishte pasagjere.
Lajmi për vdekjen tragjike të Anitës ka tronditur komunitetin arsimor në Fushë Kosovë. Drejtoria e Arsimit e kësaj komune ka shprehur ngushëllimet për humbjen e saj të parakohshme.
“Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin tonë të thellë me familjen Vrellaku, miqtë dhe komunitetin shkollor që patën fatin ta njohin Anitën – një vajzë e sjellshme, e talentuar dhe e dashur për të gjithë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të drejtorit Fatlum Berisha.
“Humbja e saj është një dhimbje e madhe për të gjithë ne që jemi pjesë e arsimit në Fushë Kosovë. U prehtë në paqe!”, shton ai më tej.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!