Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën nacionale Hani i Elezit – Kaçanik, saktësisht te vendi i njohur si ‘kulla me qeshme’, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se viktima është Qazim Samakova, 76-vjeçar, i cili ishte në ulësen e pasagjerit në veturën që po drejtohej nga vajza e tij 23-vjeçare.
Sipas burimeve të Sinjalit deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, me ç’rast shoferja ka humbur kontrollin mbi timon dhe ka përfunduar jashtë rrugës.
I ndjeri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa shoferja është dërguar me urgjencë në spital.
Ndërkohë, faqet lokale në Facebook kanë publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes, ku shihet vetura e cila ishte rrokullisur.