Një vetaksident trafiku me fatalitet ka ndodhur sonte në fshatin Lubozhdë të Istogut, ku për pasojë ka humbur jetën shoferi i veturës, raporton Gazeta Sinjali.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia dhe Emergjenca, me ç’rast u konstatua vdekja e shoferit, i cili nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Pejë.
“Rreth orës 18:50, policia është njoftuar për një aksident në Lobuzhdë të Istogut. Me të arritur në vendin e ngjarjes, policia mësoi se bëhet fjalë për vetaksident. Një person ka qenë në veturë. Është njoftuar stafi emergjent dhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti i hetimeve të aksidenteve dhe Prokurori”, tha Fadil Gashi nga Policia.