image Vetë e votuan, por deputetët nuk po respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore

Sociale

Vetë e votuan, por deputetët nuk po respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore

news image

Ligji për Barazi Gjinore ka pesë vjet që është votuar në Kuvendin e Kosovës, por vetë të zgjedhurit e popullit nuk po e përfillin atë. Kjo pasi përfaqësimi i grave në bordet e ndërmarrjeve publike, institucioneve dhe agjencive të pavarura që votohen nga ata, po vazhdon të jetë shumë i ulët, njofton Gazeta Sinjali.

Përveç votës së tyre shqetësuese po shihet të jetë vet trupat që bëjnë rekrutimin e kandidatëve që synojnë ndonjë prej posteve publike.

Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se pas rasteve të fundit në Kuvend, ku për dy pozita joekzekutive në bordin e BQK -së, kanë ardhur për votim shtatë burra, do të insistojnë që trupat që bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve të rekrutojnë edhe gra dhe prej aty të respektohet Ligji për Barazi Gjinore.

“Duke e marrë parasysh se flasim për një ligj që është miratuar në Kuvendin e Kosovës e shoh totalisht të papranueshme pranimin e listave për trupat të cilat votohen në Kuvend në të cilat nuk ka një barazi gjinore. Kjo është arsyeja që disa herë deri më tash në këtë legjislaturë e kam ngritur këtë çështje dhe më duket se ka ardhur te pika ku më, në bashkërendim edhe me kryetaren e Kuvendit edhe me kryesinë po shpresoj që do të ketë mbështetje që trupat të cilët bëjnë përzgjedhjen e parë të kandidateve që pastaj duhet të vinë të votohen në Kuvend, të japin mundësi që të ketë barazi të plotë gjinore dhe të insistojnë që të rekrutojnë edhe gra. Në rastin e fundit e kemi pasur në BQK, kemi pasur 7 kandidat burra për dy pozita joekzekutive në bord dhe më vjen mirë që procesi u kthye në pikën 0”, thotë Kusari.

Shqetësuese këtë gjendje po e sheh edhe drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, pasi sipas saj bordet janë të politizuara dhe kjo mund të jetë një prej arsyeve që shumë gra hezitojnë të aplikojnë.

Kurse, Gresa Sermaxhaj nga Rrjeti i Grupit të Grave, shprehet skeptike se situata e barazisë gjinore mund të ndryshojë për të mirë.

Përndryshe, edhe neni 7 i Kushtetutës së Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore. /Gazeta Sinjali/