Lideri i PDK-së Kadri Veseli ka shkruar një letër për prindërit e vëllezërve Demaku, të cilët po mbahen në burg.
Veseli thotë se shpifjet nuk mund ta rrënojnë nderin e tyre, dhe se ata do të kthehen, pasi, siç thotë ai, herontë kthehen të fundit nga beteja.
“Vëllezërit e tij, që sot vuajnë padrejtësisht, do të ngadhënjejnë mbi padrejtësinë. Me të vërtetën e tyre të pastër. Me nderin e tyre, të cilin mund ta errësojnë përkohësisht shpifjet e ulëta, por kurrë nuk do të munden ta rrënojnë. Ata do të kthehen! Heronjtë kthehen të fundit nga betejat, e beteja e fundit e jona është beteja për nderin e UÇK-së – beteja për ruajtjen e Kosovës. Ne do të fitojmë, sepse UÇK-ja ishte dhe mbeti deri në fund nderi dhe drejtësia e popullit tonë!”, shkruan Veseli në një postim në Facebook.
Postimi i plotë:
Baca Haxhi dhe Nana Qamë,
Këtë ditë të parë të vitit të ri po e nis me këtë letër. Është për ju të dy. Zgjodha t’jua dërgoj juve, sepse përmes fatit dhe shembullit tuaj jetësor – ju përfaqësoni mijëra nëna e baballarë anekënd atdheut tonë.
Uroj që ky vit i ri të jetë i mbarë për ju, për tërë familjen tuaj të madhe Demaku dhe gjithë kombin tonë!
Uroj që secilën ditë të këtij viti ta kaloni me buzëqeshjet e nipërve dhe mbesave tuaja, edhe pse mosha e shtyrë, plagët e luftës dhe padrejtësitë e pasluftës rëndojnë shumë mbi ju të dy.
Është e vështirë të ngrihesh çdo mëngjes, të shikosh fotografinë e varur në mur të djalit dhe vajzës të rënë në luftë për liri, Xhevatit e Fatimes, dhe të ndjesh mungesën e djemve të tjerë, Nexhatit e Fadilit, të cilët luftuan përkrah tij, por sot nuk janë në liri, për shkak të një padrejtësie të madhe që u bë ndaj tyre, në emër të drejtësisë.
Padrejtësia në emër të drejtësisë është e rëndë. Vështirë e përballueshme, por unë e di se ju jeni prindër të fortë. Jeni të pathyeshëm. Ashtu siç ishit në prillin e vitit 1999, kur qëndronit të fortë pranë trupit të djalit të vrarë dhe na jepnit forcë edhe neve, bashkëluftëtarëve të tij, që të mos thyheshim, edhe në ato momente kur rreth e rrotull ishin me mijëra trupa të ushtrisë serbe. Sepse, përpara kishim një qëllim të madh, një ëndërr të madhe, për të cilën atë ditë ra djali juaj, Xhevati, bashkë me shumë trima të tjerë.
Unë ndihem krenar që pata fatin t’ju njoh dhe të kaloj me ju disa nga ditët më të vështira për kombin tonë!
Djemtë dhe vajzat e Kosovës, të rreshtuar nën emblemën e shenjtë të UÇK-së, nuk do të mund t’i bënin ato sakrifica, pa mbështetjen dhe qëndrueshmërinë shpirtërore të nënave e baballarëve si ju.
Ju jeni nderi dhe krenaria e përgjithmonshme e brezit tonë!
Xhevati ra ashtu siç bien heronjtë më të dashur të njerëzimit: duke mbrojtur civilët, fëmijët, gratë dhe të moshuarit nga barbaria e armikut.
Vëllezërit e tij, që sot vuajnë padrejtësisht, do të ngadhënjejnë mbi padrejtësinë. Me të vërtetën e tyre të pastër. Me nderin e tyre, të cilin mund ta errësojnë përkohësisht shpifjet e ulëta, por kurrë nuk do të munden ta rrënojnë. Ata do të kthehen! Heronjtë kthehen të fundit nga betejat, e beteja e fundit e jona është beteja për nderin e UÇK-së – beteja për ruajtjen e Kosovës. Ne do të fitojmë, sepse UÇK-ja ishte dhe mbeti deri në fund nderi dhe drejtësia e popullit tonë!
Baca Haxhi dhe Nana Qamë, ju faleminderit!/Gazeta Sinjali/