image Veseli deklarohet i pafajshëm para Speciales

Drejtësi

Veseli deklarohet i pafajshëm para Speciales

news image

Ka nisur seanca gjyqësore ndaj ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ku po paraqitet për herë të parë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, si i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Ish-kreu i PDK-së është deklaruar i pafajshëm nga të gjitha akuzat që janë ngritur.

“Faleminderit zotëri gjyktës. I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzave. Më lejoni të deklarohem se jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë Veseli.

Veseli, i cili u arrestua më 5 nëntor dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë, dyshohet për vepra penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj Veselit më 26 tetor, por ajo u bë publike më 5 nëntor. Veseli, ka një aktakuzë të përbashkët me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Kadri Veseli që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 5 nëntor, njoftoi për konfirmimin e aktakuzës dhe tha se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet publike dhe politike./Gazeta Sinjali/