Që nga shkurti i këtij viti, kur Vjosa Osmani u zgjodh kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, shpenzimet për dreka, derivate, telefoni, mallra dhe shërbime të kabinetit të saj arritën vlerën në mbi 10 mijë euro.
Ndërsa paraardhësi i saj, Kadri Veseli, në 11 muaj gjatë mandatit të fundit, së bashku me kabinet harxhuan mbi 225 mijë euro për dreka, derivate e gjëra të tjera.
Gazeta Sinjali ka siguruar të gjitha shpenzimet e kabinetit të Kadri Veselit, për muajt janar-nëntor 2019 dhe ato të Vjosa Osmanit për muajt shkurt-dhjetor 2020.
Në këto të dhëna rezulton se Veseli sa ishte kryetar i Kuvendit ka harxhuar mbi 215 mijë euro më shumë se Osmani, për periudhën kohore prej 11 muajsh.
Gjatë asaj periudhe sa Veseli mbante atë pozitë, së bashku me kabinet shpenzuan 29,174.75 euro në dreka, 25,451.10 në bileta udhëtimi, 143,901.61 euro në mallra dhe shërbime.
Shpenzimet e telefonisë mobile dhe fikse arritën shumën prej 11,458.27 eurove dhe për mëditjet e kabinetit të kryetarit u harxhuan 15,458.31 euro, kurse të njëjtit shpenzuan edhe 22876.01 litra në derivate.
Ndërsa Vjosa Osmani me kabinetin e saj shpenzuan 1,478.2 euro në dreka, 2,905.30 në mallra dhe shërbime dhe 5,821.93 euro për telefoni mobile e fikse.
Derivatet e harxhuara nga kabineti i saj, për 11 muaj, arritën në 6393.23 litra. Por Osmani nuk harxhoi asnjë cent për bileta udhëtimi e për mëditje të kabinetit.
Nga kabineti i Osmanit për Gazetën Sinjali kanë treguar se ajo nuk ka shfrytëzuar asnjëherë kredit kartelë dhe asnjë nga këshilltarët e saj nuk posedon veturë.
Sqarim: Kadri Veseli u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës më 8 dhjetor 2014, për t’u rizgjedhur më pas edhe për një mandat më 7 shtator 2017 deri në shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht 2019.
Kurse Vjosa Osmani erdhi në krye të këtij institucioni më 3 shkurt 2020, detyrë të cilën e pranoi nga ish kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Pra, shpenzimet e lartëpërmendura të Veselit përfshijnë periudhën kohore nga janari deri më nëntor të vitit 2019, ndërsa ato të Osmanit që nga marrja e mandatit, muaji shkurt deri më dhjetor 2020.