Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku ka filluar të mbahet aktiviteti “Verë n`dimër”, ka gdhirë sot i mbushur me bërllok.
Sipas pamjeve të dërguara nga në sinjalizues i Gazetës Sinjali, zona me e frekuentuar e kryeqytetit nga kalimtarët dhe turistët e huaj, shpërfaq nivelin e papërgjegjësisë e moskujdesit në mirëmbajtjen e hapësirave publike.
Përfaqësuesit e bizneseve, të cilët janë të vendosur në shtëpizat e drurit, përgjatë këtij sheshi, përveç interesimit për përfitim, nuk çajnë kokën fare që në përfundim të orarit të punës ta pastrojnë hapësirën përrreth nga mbeturinat.
Për pasojë, qendra e kryeqytetit po shndërrohet në deponi plehrash, gjë e cila po i jep zymtësi këtij aktiviteti tradicional, që tashmë ka hyrë në vitin e gjashtë të organizimit nga komuna e Prishtinës.
Autoritetet komunale, krahas dhënies së pëlqimit për ushtrimin e veprimtarisë biznesore ndaj kompanive, do të duhej të kujdeseshin edhe për shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk kujdesen për largimin e mbeturinave dhe nuk u përmbahen rregullave të mbrojtjes mjedisore.
Edicioni i gjashtë i festivalit “Verë në dimër” ka filluar nga 1 dhjetori dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor. / Gazeta Sinjali/