image Vengu: Shqipëria në NATO mundohet të ndikojë në favor të Kosovës – ministrat kërkuan rifillim të dialogut

Politikë

Vengu: Shqipëria në NATO mundohet të ndikojë në favor të Kosovës – ministrat kërkuan rifillim të dialogut

news image

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka thënë se në takimet brenda Ministrave të Mbrojtjes të aleancës NATO, kishte shqetësime për situatën në Kosovë dhe vijën kufitare të saj me Serbinë.

Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, ai ka deklaruar se Shqipëria në këto takime ka kërkuar që të rritet bashkëpunimi mes Kosovës dhe NATO-s, si dhe rritja e mbështetjes së NATO-s ndaj FSK-së.

“Elementi më domethënës dhe me pozitiv i këtij ministeriali, do të thosha unë, kur vjen puna tek Kosova dhe siguria e Kosovës, ka të bëjë me ndjeshmërinë që e ndajnë të gjithë aleatët duke nisur që nga komandanti i Përgjithshëm i Forcave të NATO-s në Evropë, Gjeneral Cavoli, dhe të gjithë në fakt ministrat dhe kolegët e tjerë që kanë bashkëndarë me mua shqetësimin tonë, për sa i përveç vulnerabilitetit të sigurisë në rajon, dhe faktin që edhe në Kosovë edhe në zonën kufitare me Serbinë situata mbetet vulnerabël, për efekt të disa elementeve qoftë provokues, qoftë edhe të rritjes së tensioneve për mungesë bashkërendimi apo bashkëveprimi”.

“Qasja jonë ka qenë shumë e kthjellët. Ne kemi kërkuar nga të gjithë partnerët që vëmendjen që e kanë të gjithë ta përkthejnë edhe në veprime politike për të ulur barrierat e bashkëpunimit mes Aleancës edhe Kosovës. E kemi kërkuar në mënyrë shumë të kthjellët, kemi kërkuar që të jepet mbështetje kur vjen puna tek ndihmesa që mund të japin struktura të specializuara të NATO-s, për bashkëpunim teknik me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është një realitet, këtë realitet ne duam jo vetëm ta mbështesim, edhe të influencojmë për mirë në fuqizimin e kësaj force”, u shpreh ministri Vengu.

Ai ka thënë se më tej u kërkua që Kosova të ecë para në procesin e dialogut, dhe të ketë një momentum të ri.

“Kemi bashkëndarë një vlerësim të situatës për kërcënimet të natyrës hibride kur vjen puna tek aktivitetet malinje të palëve të treta në rajon. Fakti që këto palë të treta kanë influencë, qoftë në Serbi, qoftë edhe përmes kërcënimeve hibride, përcjellin mesazhe negative kur vjen puna tek realiteti në terren. Ajo që dua të them gjithashtu është që në vlerësimin e të gjithë aleatëve është e rëndësishme që përkundër mbështetjes që NATO jep, përkundrejt faktit që KFOR-i është garancia kryesore për sigurinë e Kosovës, duhet që gjithashtu Kosova të bëjë disa detyra shtëpie për sa i përket procesit të dialogut, është shumë e rëndësishme që të vijojë… e theksuan një pjesë e aleatëve tanë strategjikë dhe më të rëndësishëm, dhe padyshim duhet mirëkuptuar faktin që kur vjen puna për qëndrimet që mban Shqipëria për Kosovën, patjetër që ne kemi dy kapele: kemi kapelën e shtetit amë dhe patjetër që kur na jepet mundësia ne mundohemi të influencojmë në favor të Kosovës në Aleancë, sikundër kemi edhe kapelën në NATO efekt të ndërveprimit që na duhet të kemi dhe të mesazheve të duhura që duhet të japim në NATO kur vjen puna për zhvillimet në Kosovë”.

“Të gjithë aleatët e ndanë faktin që dialogu duhet rifillojë dhe duhet të ketë një momentum të ri, i cili besoj unë do t’i japi edhe më shumë instrumente Shqipërisë, që të maksimizojë mbështetjen në Aleancë për Kosovën”, potencoi ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, në këtë intervistë ekskluzive në Bruksel për Klankosova.

/GazetaSinjali/