Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu bëri me dije në përmbyllje të Ministerialit të Nismës SHBA-Karta e Adriatikut se gjatë punimeve të konferencës pati “vëmendje të shtuar” ndaj sulmit kriminal të pak ditëve më parë në Zubin Potok.
“Shqyrtuam një sërë rreziqesh dhe sfidash me karakter hibrid dhe një vëmendje të shtuar mori sulmi kriminal i pak ditëve më parë në Zubin Potok ndaj infrastrukturës kritike në Republikën e Kosovës”, theksoi fillimisht zyrtari i lartë shqiptar.
Sipas tij, të gjitha vendet dënuan këtë “sulm të rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal” dhe kërkuan sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.
Vengu mbajti një konferencë për shtyp bashkë me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë, Celeste Wallander.
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare dhe vëzhguese të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatiku u mblodhën në Tiranë, për të diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme, që shtrohen në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, transmeton albanianpost.
Titullari i institucionit solli në vëmendje se prioritet absolut për autoritetet shqiptare mbetet anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut.
“Patëm një konvergjencë për ri-energjizimin e Kartës së Adriatikut duke parë dinamikat rajonale, sfidat e sigurisë kolektive çka na detyron në fakt të përpiqemi ta rijetëzojmë Kartën e Adriatikut për të çuar përpara politikën e dyerve të hapura për të pranuar anëtarë të rinj, dhe veçanërisht anëtarësimi i Kosovës mbetet për ne prioriteti absolut”, deklaroi Pirro Vengu.
Teksa vlerësoi rëndësinë e këtij forumi, ministri i Mbrojtjes i shprehu zyrtares amerikane mirënjohjen e qeverisë shqiptare për angazhimin e paçmuar të SHBA-ve në zhvillimet politike, të sigurisë dhe atyre të mbrojtjes në vendin tonë, por gjithashtu në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Patëm mundësi të ndaleshim mbi ndërlikimet në ambientin strategjik të sigurisë në kontinentin europian përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Theksuam dhe njëherë rilevancën e Kartës së Adriatikut dhe çdo vendi anëtar, në mënyrë të veçantë rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në rajon”, ravijëzoi Vengu në deklaratën e përbashkët, pas mbylljes së punimeve të ministerialit.
Vendet pjesëmarrëse do të nënshkruajnë gjithashtu një deklaratë të përbashkët në fund të ministerialit.
Nisma SHBA-Karta e Adriatikut është një nismë diplomatike që përfshin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe synon të forcojë bashkëpunimin dhe integrimin e këtyre vendeve, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në strukturat euroatlantike, por edhe ndihmon për të promovuar stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në këtë rajon.
Ndërtimi i situatës
Tetë persona të arrestuar, arsenal i armëve dhe municionit, eksplozivit, uniforma e pajisje të ndryshme ushtarake janë konfiskuar, reagime të ashpra ndërkombëtare për ta dënuar aktin, forca të shumta policore në Veri, ujë i papijshëm si rezultat i kësaj ngjarje, dhjetëra lajme ndërkombëtare, një situatë e tensionuar.
Nga ana tjetër, akuza e kundër-akuza mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo ishte përmbledhja e situatës së krijuar pas shpërthimit në Zubin Potok.
Më 29 nëntor, rreth orë 19:00, një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Ndonëse dëmi u sanua deri në një masë, Kosova akuzoi Serbinë për sulm në infrastrukturën kritike të vendit.
Ndërkohë Serbia mohoi se kishte gisht në këtë sulm, derisa bashkësia ndërkombëtare e dënoi në termat më ashpër duke kërkuar që autorët të sillen para drejtësisë.
Nga shpërthimi s’pati viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.