image Vendosen kamera të sigurisë në fshatin Cërnicë të Gjilanit

Siguri

Vendosen kamera të sigurisë në fshatin Cërnicë të Gjilanit

news image

Në fshatin Cërnicë të Komunës së Gjilanit është realizuar projekti për vendosjen e kamerave të sigurisë, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e veprave penale.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, projekti është realizuar nga Komiteti Lokal për Siguri Publike në Cërnicë, në bashkëpunim me Koordinatorin e Projekteve për Komunitet dhe Parandalim në DRP Gjilan, Njësinë e Policisë në Komunitet dhe Sektor, si dhe Stacionin Policor në Gjilan.

Ky projekt është financuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, ndërsa është mbështetur edhe nga Komuna e Gjilanit, e cila ka siguruar furnizimin me energji elektrike për funksionimin e sistemit të kamerave.

Qëllimi i vendosjes së kamerave është rritja e nivelit të sigurisë, mbrojtja e pronës dhe krijimi i një ambienti më të sigurt për të gjithë banorët e fshatit.

Policia bën të ditur se projekti është mirëpritur nga komuniteti lokal, i cili e ka vlerësuar si një investim të rëndësishëm për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Institucionet e përfshira kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në projekte të tjera që kanë për qëllim përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.