Gjykata Federale në Gjermani ka zbutur dënimin me burgim të përjetshëm për kosovarin 22-vjeçar, i cili derisa ishte duke ngarë me shpejtësi marramendëse makinën e tij shkaktoi vdekjen e një gruaje, e cila nuk ishte pjesëmarrëse në garë, shkruan press24.net, transmeton Gazeta Sinjali.
Gjykata e Landit e kishte dënuar kosovarin me dënim me burg të përjetshëm për vepër penale të vrasjes, por Gjykata Federale (BGH) ka ndërhyrë. Në procesin e sapohapur, i akuzuari tani ka kaluar shumë më lehtë. Kjo ka ndodhur edhe për faktin se ai po voziste në një rrugë ku kishte përparësi kalimi, në Moers am Niederrhein.
I pandehuri, tashmë 24-vjeçar u dënua me katër vjet burg. Kjo u njoftua nga një zëdhënëse e gjykatës pas shpalljes së vendimit, transmeton albinfo.ch. Vendimi i ri i Gjykatës së Landit, në Kleve, është dukshëm më i butë se dënimi i përjetshëm i vendosur nga gjyqtarët në shkurt të vitit 2020.
Një shofere 43-vjeçare e rastit pati pësuar dëmtime fatale në prill të vitit 2019, kur makina e fuqishme e të riut qe përplasur me makinën e saj.
Por, Gjykata Federale e Drejtësisë (BGH) kishte shfuqizuar dënimin për vrasje ndaj shoferit, sepse gjykatësit e Gjykatës më të lartë të Gjermanisë nuk kishin gjetur prova të mjaftueshme që i riu të ketë kryer këtë vepër penale me dashje, çka është element për ashpërsimin e dënimit apo përcaktimin e dënimit maksimal.
Me vendimin e ri, Gjykata e Landit ka ndjekur po këtë pikëpamje dhe e ka dënuar të pandehurin vetëm për garë të paligjshme të automjeteve, me pasojë vdekjen.
I pandehuri kryesor, i cili ishte 22 vjeç në kohën e krimit, kishte vozitur 167 kilometra në orë makinën e tij 600 kf përmes një zone banimi në Moers, ku zona e lejuar ishte për vetëm 50 km.
Kur një grua e papërfshirë kishte dalë nga një rrugë anësore me makinën e saj të vogël, kosovari nuk kishte mundur të frenonte më dhe e kishte goditur me shumë forcë dhe si pasojë e kësaj goditje gruaja kishte vdekur nga dëmtimi i trurit si rezultat i përplasjes, thotë gjykata.
BGH i është referuar një deklarate nga i pandehuri se ai po udhëtonte në një rrugë në të cilën kishte përparësi të dukshme dhe për këtë arsye kishte besim se nuk do të mund të ndodhte ndonjë aksident, përcjell albinfo.ch. Gjykata nuk e ka vlerësuar sa duhet këtë deklaratë në diskutimet e saj.
I pandehuri i dytë gjegjësisht “bashkëgaruesi” i të pandehurit kryesor, ishte dënuar me tre vjet e nëntë muaj. Kjo masë dënimi i është konfirmuar nga BGH. /GazetaSinjali/