image Vendimi për uljen e çmimit të biletave, Shoqata e Transportuesve dorëzon sot padi ndaj Ministrisë së Infrastrukturës

Kosovë

Vendimi për uljen e çmimit të biletave, Shoqata e Transportuesve dorëzon sot padi ndaj Ministrisë së Infrastrukturës

news image

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve, do të dorëzojë sot padi në Pallatin e Drejtësisë, për anulimin e vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me çmimoren për disa kategori të udhëtarëve dhe kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.

Kjo padi vjen si rrjedhojë e vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës ditë më parë për ulje të çmimit të biletave për transportin ndërurban me autobus për fëmijët, studentët, invalidët e luftës dhe pensionistët.

Të dielën përmes një konference për media, Kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurtishaj i ka dhënë ultimatum dhe se nëse Qeveria nuk reflekton brenda 72-orësh, ai tha se do të ketë protesta.

“Kemi marrë tri vendime. E para ka të bëjë me masën e përkohshme, pra Këshilli Drejtues me anë të një kërkesë-padie, do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës Kushtetuese për shkeljet ligjore dhe për mohimin e të drejtave tona si treg i lirë. Vendimi i dytë ka të bëjë me çështjen që ne po kërkojmë që brenda 72 orësh qeveria ta anulojë këtë vendim, ne presim reflektimin e Qeverisë. Nëse kjo nuk aprovohet, atëherë vendimi tretë pason që të organizohet protesta apo të vazhdohet protesta sepse e kemi thënë që protesta është e pezulluar dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Kurtishaj.

Kujtojmë se zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se është marrë vendim për uljen e çmimeve për biletat e transportit ndërurban për disa kategori.

“Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritë që prek më shumë kjo gjendje, duke përcaktuar kështu çmimoren për transportin ndërurban me autobus për fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët. Për kategoritë e lartpërmendura, me këtë vendim përgjysmohet çmimi i biletës aktuale”, kishte njoftuar ai.

/GazetaSinjali/