image Vendimi në rastin Gucati dhe Haradinaj shqiptohet brenda 90 ditësh pas përfundimit të gjykimit

Drejtësi

Vendimi në rastin Gucati dhe Haradinaj shqiptohet brenda 90 ditësh pas përfundimit të gjykimit

news image

Gjykimi për vepra penale lidhur me pengimin e administrimit të drejtësisë ndaj Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, i cili filloi më 5 tetor 2021, ka përfunduar më 17 mars 2022, ndërkaq shqiptimi i dënimit nga trupi gjykues duhet të bëhet brenda 90 ditësh pas përfundimit të gjykimit.

Këtë e ka përcaktuar rregulla 159 e Rregullores së Procedurave dhe Provave, ku në paragrafin 1 thuhet se vendimi i gjykimit shqiptohet brenda nëntëdhjetë (90) ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore sipas rregullës 136, dhe në të mund të përfshihet edhe një vendim sipas nenit 22(7) të Ligjit, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Në qoftë se rrethanat e çështjes kërkojnë zgjatje të mëtejshme të afatit, kjo nuk shkon më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë përveçse kur është absolutisht e nevojshme. Vendimi për zgjatjen e afatit është publik dhe palët e mbrojtësi i viktimave informohen në lidhje me të. Për zgjatjen e afatit jepen arsyet përkatëse”, thuhet tutje.

Ndryshe, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj u dëgjuan katër dëshmitarë të prokurorisë, gjashtë të mbrojtjes së Gucatit dhe katër të Haradinajt.

Me shkrim u paraqitën 18 dëshmi të dëshmitarëve, 12 nga mbrojtja e Gucatit dhe katër nga ajo e Haradinajt.

Numri i ditëve të gjykimit ishte 31, derisa kohëzgjatja e procedurës paraprake ishte 12 muaj e 12 ditë.

Gjatë këtij gjykimi, fillimisht u paraqit deklarata hyrëse nga ana e prokurorisë, ku një pjesë të deklaratës hyrëse e bëri edhe vet prokurori i specializuar, Jack Smith.

Pas kësaj, u dëgjuan dëshmitarët e prokurorisë, ndër të cilët ishin edhe punonjësit e Zyrës  e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Zenka Pumper, hetuese dhe Miro Jukiq, udhëheqës i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve.

Pas njoftimit për përmbylljen e çështjes së prokurorisë, mbrojtësit bënë mocione për rrëzim të akuzave, por këto mocione u refuzuan nga trupi gjykues, i kryesuar nga Charles L Smith II.

/GazetaSinjali/