image Vendimi i Qeverisë për shpronësimin, Lista Serbe letër QUINT-it

Politikë

Vendimi i Qeverisë për shpronësimin, Lista Serbe letër QUINT-it

news image

Lista Serbe i ka dërguar një letër ambasadorëve të QUINT-it, me pretendimin se pronarëve serbë të tokave po iu sekuestrohen pronat nga shpronësimi “i paligjshëm” i Qeverisë së Kosovës, e cila ka miratuar vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik, në Komunën e Leposaviqit.

Në njoftimin e LS-së thuhet se letra drejtuar ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë, si dhe shefave të misioneve të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së si dhe komandantit të KFOR-it është shkruar gjoja se në emër të popullit serb.

Sipas Listës Serbe, “letra tregon qartë shkeljen e të gjitha rregullave ligjore që rregullojnë çështjen e shpronësimit dhe se kjo procedurë është e papranueshme për pronarët e patundshmërive dhe popullin serb që jeton në veri të Kosovës”.

Aty thuhet se përmes kësaj letre kanë ftuar të gjithë që të ndalojnë shpronësimin.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 16 janar të këtij viti ka miratuar vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, Zonat Kadastrale: Dren dhe Leshak, Komuna Leposaviq.

“Sipas vendimit, për realizimin e ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’ është e nevojshme që të iniciohen dhe kryhen procedurat e shpronësimit dhe vlerësimit të pronës për të gjithë pronarët e evidentuar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

/GazetaSinjali/