Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zëvendësimin e deputetëve mbi kriterin gjinor, do ta rrezikojë zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Sipas Cakollit, bazuar në interpretimin e Kushtetueses lista e deputetëve të zëvendësuar të Lëvizjes Vetëvendosje mund të pësojë ndryshime.
“Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zëvendësimin e deputetëve mbi kriterin gjinor, do t’a komplikojë, e madje rrezikojë zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Bazuar në interpretimin e Gjykatës lista e deputetëve të zëvendësuar të LVV-së mund të pësojë ndryshime. Duke qenë se zëvendësimet e fundit janë bërë pikërisht mbi bazën e këtij kriteri, tashmë krijohet dilema se a duhet të vijohet me dhënien e betimit të këtyre deputetëve të zëvendësuar, apo të pritet publikimi i aktgjykimit të plotë, e të kërkohet nga KQZ që të rishikohet rekomandimi i fundit”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Ai ka shtuar se “rrezikohet që ndonjë votë të jetë shkaktare e kontestimit të procedurës së zgjedhjes së presidentit, e madje edhe rrëzimin e tij, siç ka ndodhur me rastin e ish-deputetit Etem Arifi”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës sot ka vendosur se ndaj dy ish-kandidateve për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Tinka Kurti dhe Drita Millakut, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kishte pasur diskriminim gjinor në momentin kur ato nuk ishin lejuar të bëheshin deputete për të zëvendësuar deputetët që ishin bërë ministra.
Atë kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme kishin ndjekur parimin e gjinisë duke mos lejuar që deputetet të hyjnë në vend të deputetëve meshkuj edhe pse ishin të parat në listën e pritjes.