Serbia është vendi më i prekur nga koronavirusi në rajon, por nga dita e hënë do t’i hapë lokalet, baret e restorantet. Ky është vendimi që ka marrë qeveria serbe, e mediat serbe kanë publikuar vendimet e tjera që ka marrë qeveria.
Më datë 8 maj, do të hapet transporti publik, urban dhe linjat hekurudhore. Po ashtu me datë 8 maj do të hapen qendrat tregtare.
Me datë 11 maj do të hapen kopshtet për fëmijët, që prindërit të kenë mundësi të shkojnë në punë. Ndërsa me datë 18 maj do të hapen aeroportet.
Përvec hapjes do të ketë edhe rregulla të forta për distancimin social dhe higjenën. Maskat do të përdoren me detyrim në ambientet e mbyllura dhe në dyqanet.
Prej fillimit të prillit në Serbi u lejuan të hapen disa dyqane të vogla, ndërsa të hënën e kaluar u hapën parukeritë.
Sipas shifrave zyrtare koronavirusi ka marrë jetët e 168 njerëzve në Serbi dhe ka infektuar 8500. Ditët e fundit sipas ekspertëve, shkalla e infeksioneve të reja është ngadalësuar ndjeshëm, ndaj dhe po kthehet normaliteti.
Edhe Greqia ka publikuar planin e rihapjes që nis nga 4 maji, ku përfshihen libraritë, njësitë shitëse me pajisje elektronike, produktet atletike, parukeritë, qendrat estetike, produktet okulare. /Gazeta Sinjali/