Pandemia e COVID-19 ka dobësuar ekonominë e shteteve më të fuqishme, ndërsa ka thelluar edhe më tej krizën e shteteve të varfra.
Për ta ringjallur sado pak ekonominë, Qeveria e Maltës do t’iu ndajë qytetarëve kuponë në vlerë prej 100 eurosh, për t’i shpenzuar në bare, hotele dhe restorante.
Qeveria planifikon t’iu ndajë të gjithë qytetarëve mbi 16 vjeç nga pesë kuponë prej 20 eurosh.
Katër nga këta pesë kuponë duhet të shpenzohen në hotele dhe restorante.
Punëtorëve të turizmit, ndërkaq, paga subvencionuese prej 800 eurosh do t’iu vazhdojë deri në shtator.
Malta, si shumica e vendeve në Evropë, i ka mbyllur kufijtë në mars për të frenuar përhapjen e koronavirusit, edhe pse lehtësimi i masave të izolimit tashmë ka nisur.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Malta ka konfirmuar 630 raste pozitive me COVID-19, ndërsa prej tyre nëntë kanë vdekur./Gazeta Sinjali/