Vietnami nuk ka raportuar deri më tani asnjë vdekje nga pandemia e COVID-19 me vetëm 270 raste pozitive. Ky rezultat është vlerësuar se është arritur fal testimit rapid dhe të gjerë në popullsi.
Në Vietnam numri i popullsisë arrin në rreth 96 milionë njerëz dhe është i vendosur në kufi me vendlindjen e koronavirusit, Kinën. Por deri më tani janë raportuar vetëm 270 raste pozitive dhe asnjë vdekje shkruan The Hill.
Autoritetet shëndetësore kanë testuar mbi 213 mijë njerëz, ndërsa ekspertët kanë deklaruar se numri i vogël i të infektuarve është si rezultat i marrjes së masave të menjëhershme për ndalimin e transportit në vend, karantimin e rasteve, testimin dhe gjurmimin e të infektuarve dhe kontaktet e tyre.
Në Vietnam fluturimet nga jashtë vendit janë ndaluar në fund të muajit mars, ndërsa kufizimi i lëvizjes është bërë që nga data 1 prill dhe sipas raportimeve të mediave, masat pritet të qëndrojnë në fuqi për të paktën edhe 1 javë.
Ka pasur disa spekulime se shifrat në Vietnam nuk janë të vërteta, por ekspertët e CDC-së amerikane kanë thënë se nuk ka ndonjë indikacion se këto shifra nuk janë reale./Gazeta Sinjali/