Ditën e hënë, Estonia, Letonia dhe Lituania mbyllën kufijtë e tyre për shumicën e qytetarëve rusë në përgjigje të mbështetjes së gjerë të brendshme në Rusi për luftën në Ukrainë.
Sipas ndalimit të koordinuar të udhëtimit, rusët që dëshirojnë të udhëtojnë në vendet baltike ose Poloni si turistë ose për qëllime biznesi, sportive ose kulturore nuk do të lejohen të hyjnë edhe nëse kanë viza të vlefshme për zonën Shengen të Bashkimit Evropian.
Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, kryeministrat e tre vendeve baltike dhe të Polonisë ranë dakord të ndalonin pranimin e qytetarëve rusë, duke thënë se masa do të mbronte sigurinë e kombeve të Bashkimit Evropian, fqinjë me Rusinë.
“Rusia është një shtet i paparashikueshëm dhe agresiv. Tre të katërtat e qytetarëve të saj mbështesin luftën. Është e papranueshme që njerëzit që mbështesin luftën të mund të udhëtojnë lirisht nëpër botë, në Lituani, BE”, tha të hënën Ministrja e Brendshme e Lituanisë, Agne Bilotaite.
“Një mbështetje e tillë për armiqësitë mund të përbëjë kërcënim për sigurinë e vendit tonë dhe të BE-së në tërësi,” shtoi më tej ajo.
Ndalimi përfshin përjashtime për arsye humanitare, anëtarët e familjeve të qytetarëve të BE-së, disidentët rusë, diplomatët në shërbim, punonjësit e transportit dhe rusët me leje qëndrimi ose viza kombëtare për qëndrim të gjatë nga 26 vendet e Shengenit.