image Veliu pranoi zyrtarisht vendimin për shkarkimin e tij në Podujevë: Vendim skandaloz dhe i pamoralshëm

Politikë

Veliu pranoi zyrtarisht vendimin për shkarkimin e tij në Podujevë: Vendim skandaloz dhe i pamoralshëm

news image

Ish-kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu, nuk po pajtohet kurrsesi me vendimin e kryesisë së kësaj partie për shkarkimin e tij nga kjo pozitë, raporton Gazeta Sinjali.

Vendimin për shkarkimin e tij, të cilin Veliu e ka pranuar sot zyrtarisht, thotë se është skandaloz, i pamoralshëm dhe në kundërshtim me statutin e LDK-së.

“Ashtu siç është informuar tashmë edhe opinioni i gjerë, Kryesia Qendrore e LDK-së më 09.06.2021 ka marrë një vendim, sa skandaloz dhe në kundërshtim me Statutin e partisë, po aq edhe të pamoralshëm, duke caktuar në mënyrë arbitrare kandidatin në garën për Kryetar të Komunës së Podujevës në zgjedhjet lokale dhe në të njëjtën kohë të njëjtit ia delegon të gjitha kompetencat të udhëheqë me Degën e LDK-së në Podujevë.”

Madje, ati thotë se ky vendim ishte edhe me gabime drejtshkrimore.

“Për vendimin arbitrar dhe të paligjshëm të Kryesisë dhe të Kryetarit Abdixhiku, fillimisht isha informuar përmes mediave. Ndërsa, sot (e diel) më është përcjell vendimi skandaloz i nënshkruar nga kryetari i partisë, i cili nuk shquhet vetëm për shkelje të Statutit të partisë, por edhe për gabime drejtshkrimore, mbase nga ngutia për ta ‘përligjur’ sa më shpejt shkarkimin Kryetarit të Degës në Podujevë.”

Veliu thotë se kjo është maskaradë e kryetarit Lumir Abdixhiku dhe “përkrahësve të tij në kryesi”, e cila ka për qëllim të “spastrojë” këtë subjekt politik.

“Tërë kjo maskaradë e kryetarit Abdixhiku dhe përkrahësve të tij në Kryesi nuk është asgjë tjetër veçse një lojë e ndyrë dhe përpjekje për ta kamufluar vendimin në emër të kinse riorganizimit të brendshëm (lexo: spastrimit të brendshëm), të prezantuar në ‘Platformën e Kryetarit të LDK-së 2021-2023′”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.

Ai thotë se vendimi që ka pranuar sot i demanton anëtarët e kryesisë së LDK-së, të cilët thanë se një vendim i tillë është në përputhje me statutin e kësaj partie.

“’Të gjitha kompetencat e udhëheqjes së degës së LDK-së në Podujevë, i kalojnë kandidatit të LDK-së. Kandidati udhëheqë me Kryesinë e degës, zyrën e degës dhe bashkërendon aktivitetet me kryetarët e nëndegëve në Komunën e Podujevës’, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Abdixhiku.”

Veliu thotë se përmes këtij vendimi, kryesia po provon që t’ia marrë të gjitha kompetencat, jo vetëm kryetarit, por edhe kryesisë së degës e cila, sipas tij, defaktorizohet plotësisht sipas nenit 4 të këtij vendimi, lidhur me formësimin e listës për asamble komunale.

“Një vendim i tillë jo legjitim, i atyre që e votuan dhe atij që e nënshkroi, nuk mund të quhet ndryshe, përveçse një atak i rëndë ndaj degës më të suksesshme në të gjitha proceset zgjedhore të pasluftës në Kosovë. As Kryesia e LDK-së dhe as kryetari i saj nuk mund të shkarkojnë as emërojnë një kryetar dege, të zgjedhur në procese të rregullta zgjedhore nga Kuvendi i Degës.”

Prandaj, për të dhe për degën e LDK-së në Podujevë, ai thotë se vendimi i 9 qershorit është joligjor dhe i pavlerë.

Që të analizohet kjo situatë e krijuar pas këtij vendimi, Agim Veliu thotë se kryesia e degës së LDK-së në këtë komunë do të mblidhet gjatë ditëve në vijim./Gazeta Sinjali/