Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, është zgjedhur kryetar i LDK-së në këtë komunë. Kjo siç duket i ka dhënë fund përpjekjeve të ish-kryetarit shumëvjeçar të partisë dhe të komunës, Agim Veliu për ta zënë këtë pozitë. Gjithë procesin, Veliu e ka quajtur të manipuluar dhe të korruptuar, teksa fajtorë e ka lënë edhe kryesinë e LDK-së, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Veliun për të marrë versionin e tij pse e lëshoi sallën e Kuvendit Zgjedhor dhe a nënkupton kjo se po shkëputet përfundimisht nga LDK.
Veliu tha se zgjedhjet nuk kanë qenë demokratike, pasi s’ka pasur vullnet për kundërkandidat, teksa ka hedhur akuza edhe në drejtim të Hysenit.
Për këtë proces zgjedhor të cilin po e quan të korruptuar fund e krye, Veliu tha se fajtor është edhe kryesia e LDK-së dhe të dërguarit e tyre.
“Po, e kam lëshuar Kuvendin, nuk e di me sa vota ka fituar. Nuk ka pasur vullnet me pas zgjedhje të lira e demokratike. Nuk ka pasur vullnet me pasë kundërkandidat. Për atë arsye nuk kom vazhdu me qenë pjesë e atij Kuvendi. Kom dalë para se të votohet. Kam diskutuar edhe i kom nxjerrë parregullsitë që janë bërë në proces, në nëndegë. Ai proces nuk ka qenë i përfunduar për t’u mbajtur Kuvendi. Nëpër nëndegë nuk janë kryer si duhet zgjedhjet, dmth janë zgjedhë vetëm delegatë dhe një kryetar eventualisht. Iu ka interesuar vetëm delegatët. Në shumë raste, janë bërë vetëm plotësim të formularëve, pa pasur zgjedhje fare. Ka qenë proces i manipulum, i korruptum, prej fillimit deri në mbarim.
Ekrem Hyseni i ka fajet, i ka fajet kryesia e LDK-së që e ka leju një proces të tillë. Të dërguarit e kryesisë që kanë qenë si emisarë për ta kryer këtë proces. Ata janë fajtorët kryesorë.“, u shpreh Veliu.
Ndonëse e ka humbur fronin në Llap, Veliu tha se nuk do të largohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por do t’i publikojë të gjitha, siç tha ai manipulimet, e që sipas tij zor se do të mund të demantohen.
“Unë prej LDK nuk shkëputem kurrë, por do ta gjej mënyrën se si me vepru. Do t’i shikoj në ditët në vijim, do t’i nxjerrë parregullsitë, do t’i bëjë publike. Ata që e kanë manipulu procesin, të ofrojnë fakte, që i demantojnë të mijat eventualisht, nëse munden.“, tha Veliu për Sinjalin.