image “Veç me u varr në konop” – qytetari nga Ferizaj thellohet në borxh te “Iute Credit” pa marr asnjë cent

Kosovë

Kredi/ “Veç me u varr në konop” – qytetari nga Ferizaj thellohet në borxh te “Iute Credit” pa marr asnjë cent

news image

Qytetari Florim Luzha, po pretendon se është bërë pjesë e mashtrimit pa vetëdijen e tij nga një tjetër person në “Iute Credit” duke u zhytur në borxh. Pretendimet e Luzhës janë se “Iute Credit” e ka zhytur në borxh përkundër që ai thotë se nuk ka marrë asnjë herë para nga ky biznes, raporton Gazeta Sinjali.

E gjitha ngjarja kishte filluar më 11 maj, kur Luzha pretendon se një person me emrin Mërgim Sallahu, i kishte kërkuar ndihmë për të marrë një kredi për të blerë një telefon. Aty i kishte kërkuar ndihmë si dëshmitar, por kishte përfunduar si kredimarrës.

Pretendimet e Luzhes janë se personi që e kishte mashtruar kishte ikur nga Kosova dhe nuk gjendet më askund. Madje ai pretendon se Sallahu ka edhe raste të tjera të hapura për raste të mashtrimit.

“Problemi me kredi “Iute Credit” se një person ka mashtruar në emër tim dhe ka ikur. Problem po kam unë me “Iute Credit” se qysh me i kthyer unë paret tash. Ka dhënë dëshmitarë të rrejshëm në bazë të firmave dhe i ka marrë paret dhe është larguar. Pas një muaji prej kësaj kompanie më ka ardhur njoftimi dhe unë nuk kam ditë asgjë”, ka thënë ai për Gazetën Sinjali.

Luzha thotë se është në gjendje të vështirë sa që e ka të pamundur të paguaj borxhin kësaj kompanie.

“Kjo ka ndodhë me 11 maj dhe nuk jam t’u e ditë as ka me ja majt as qysh me reagu ose duhet me dal mu varr në konop, me mbyt veten”, thotë Lusha më tej.

Luzha thotë se personi që e mashtroi kishte blerë telefon në vlerë të mbi 1 mijë eurove dhe se pas dy muajve e gjysmë iu ishte bërë borxhi në vlerë të 1 mijë e 700 eurove.

“Telefoni që e ka ble i ka kushtu 1 mijë e 39 euro. Unë e kam lajmërua rastin në Polici dhe rasti ka shku në prokurori të Ferizajt dhe për dy muaj e gjysmë 670 euro është rrit çmimi, si dënim a këst a ku ta di unë”, ka thënë ai.

Më tutje ai thotë se personin e ka njohur si figurë, por jo edhe se me çfarë merrej. Luzha thotë se është ankuar disa herë në “Iute Credit” por nuk i kanë bërë zgjidhje.

“Ai është në miqësia afër lagjes, por nuk e kemi ditë që është asi mangupi sepse shumë personave u ka ndodhë kështu dhe tash ai ka ikur diku jashtë vendit”.

“’Iute Credit’ kam qenë, por aty më thoshte një zonjë aty që je mirë këtu te na. Domethënë që jam në kredi. A unë kurrë pare aty nuk kam marrë”, ka deklaruar ai.

Gazeta Sinjali ka kërkuar një përgjigje edhe nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Togeri Agim Gashi, nga Policia e Kosovës ka thënë rasti është trajtuar nga policia dhe se aktualisht ka kaluar në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.

Gashi ka thënë se Luzha ka pranuar se me vetëdëshirë ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një telefoni në vlerë të 1 mijë euro. Por në përgjigje thuhet se ankuesi kontratën e kishte menduar ta nënshkruante si dëshmitarë e jo si kredi-marrës.

“Më datë, 13.08.2019 në stacionin policor në Ferizaj është raportuar rasti ‘Mashtrim’, nga ankuesi, Florim Luzha”.

“Sipas deklaratës se  ankuesit Luzha, më datë 11.05.2019, i njëjti kishte shkuar në një lokal tregtar  së bashku me një person të quajtur Mërgim Sallahu dhe për këtë të fundit ankuesi me vetëdëshirë kishte nënshkruar një kontratë për blerje të një telefoni me vlerë rreth një mijë euro (1.000 ) pa e detyruar askush”.

“Me datë 20.08.2019 në cilësinë e ankuesit është intervistuar Florim Luzha i cili deklaron se ketë kontratë në cilësinë e dëshmitarit e kishte nënshkruar me vetëdëshirë, andaj për këtë rast është konsultuar prokurori kujdestar, i cili na ka udhëzuar që rasti të dërgohet në Prokurorinë Themelore në Ferizaj me raport të veçantë”, thuhet në përgjigjen e Gashit për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali ka provuar të marr një përgjigje nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, por përkundër 1 javë pritje askush nuk ka kthyer përgjigje.

Iute Credit në dhjetorin e vitit të kaluar së bashku me Monegon u ishte revokuar leja nga BQK për shkak se kishin tejkaluar normën e interesit të parapara për bizneset në Kosovë që japin para me kredi./Gazeta Sinjali/