image Vdesin dy alpinistë polakë në malet e Sllovakisë

Botë

Botë/ Vdesin dy alpinistë polakë në malet e Sllovakisë

news image

Dy alpinistë të rinj polakë kanë vdekur në malin Tatra. Autoritetet lokale thanë se në këtë incident mund të kenë ndikuar reshjet e mëdha të borës dhe erërat e fuqishme.

Ekipet sllovake të emergjencës njoftuan se i gjetën trupat e dy alpinistëve polakë të moshës 27 dhe 25-vjeçare të shtunën pasdite në majën Kezmarsky, e cila është e lartë 2558 metra mbi nivelin e detit.

Erërat e fuqishme dhe dukshmëria e vogël për shkak të reshjeve të borës e kishin pamundësuar fillimisht arritjen e helikopterëve në vendin ku ndodheshin trupat e alpinistëve.

“Pas përpjekjeve të vazhdueshme për fluturime, ekipi i shpëtimit u kthye në bazën e tyre në Stary Smokovec, ku morën përforcime dhe shkuan me helikopterë në të gjitha anët e majës Kezmarsky”, thuhet në deklaratën e autoriteteve.

Alpinistët ishin nisur të premten për ta pushtuar këtë majë, por nuk është e qartë se cilën rrugë e kanë ndjekur për t’u ngjitur.

Malet Tatra shtrihen përgjatë kufirit mes Sllovakisë dhe Polonisë. Maja më e lartë në këto vargmale quhet Gerlachovsky dhe ndodhet në 2655 metra lartësi mbidetare./Gazeta Sinjali/