image Vdes piktori i shquar, Zef Toçi

Art & Dizajn

Vdes piktori i shquar, Zef Toçi

news image

Mbrëmjen e djeshme ka vdekur piktori i njohur shqiptar, Zef Toçi.

Lajmin për vdekjen e artistit të shquar e kanë dhënë familjarë të tij, nëpërmjet një njoftimi.

80 vjeçari u bë emër si një prej figurave më unike të artit në Kosovë, pjesëtar i gjeneratës që fuqizuan artin akademik.

Ishin maestrot Muslim Mulliqi e Gjelosh Gjokaj të parët që identifikuan talentin e tij të jashtëzakonshëm në Shkollën e Lartë Pedagogjike kur ai ishte nxënës i gjeneratës së parë.

Zef Toçi diplomoi për pikturë në Akademinë e Arteve në Bruksel më 1972 në klasën e prof. Georgina Iserbut. Po atë vit u shpall Student i Vitit dhe u dekorua me medalje nga Mbretëria Belge. Emri i tij u shënua në këtë Akademi.

Vazhdoi studimet postdiplomike në Akademinë e Arteve në Beograd ku diplomoi më 1981 në klasën e prof. Zoran Petroviqit.

Qysh herët krijimtaria e tij u pa jashtë vendit. Pas dy ekspozitave në Prizren, më 1966 dhe më 1967, në vitin 1968 ekspozoi në Galerinë e Arteve në Bruksel.

Më 1999 hapi ekspozitë në Prizren e tek më 2010 u hap ekspozita e tij personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës. U ekspozuan 40 vepra, një përzgjedhje prej opusit të tij të gjerë prej mbi një mijë, e të cilat, jo pak, gjenden në galeri e koleksione jashtë vendit.

Maestro Toçi dallohej për stilin surrealist të shprehjes së tij artistike. Jetoi e punoi në Prizren ku kishte atelienë e tij të veçantë në “Shadërvan”.

Varrimi i Zef Toçit do të bëhet sot në orën 13:00, në Varrezat e Prizrenit.

/Gazeta Sinjali/