Një ngjarje mjaft shokuese raportohet të ketë ndodhur në Maqedoninë e Veriut, ku një pacient i cili ishte me maskë të oksigjenit në ambulancë të ndihmës së shpejtë u filmua duke pritur në pompë të benzinës, ekipin e ndihmës së shpejtë që kishte vendosur të pinin kafe.
Videoja u bë publike dje në një konferencë për media, ku pamjet iu nisën drejtpërdrejt ministrit të Shëndetësisë të RMV-së, Fatmir Mexhiti, i cili deklaroi se nuk ishte në dijeni të ngjarjes.
“A mund ta vërtetoni se ka pacient”, pyeti ministri. Ndërsa, gazetarja duke u bazuar në pamjet që posedonte iu përgjigj “po, shihet në video se është me maskë të oksigjenit”.
E për këto pamje ka folur edhe drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Publik në RMV, Andon Llozhankovski, i cili dha disa detaje të reja për ngjarjen.
Ai tha se vajza e vet pacientit, i cili transportohej nga Shkupi për në Stugë, ka kërkuar që të ndalet në ndonjë vend për t`u freskuar e me këtë ka ftuar edhe ekipin e ndihmës së shpejtë, duke shtuar se pavarësisht thirrjes së vajzës se ekipi nuk duhej të ndalej të pi kafe pasi kjo nuk është etike.
“Me kërkesë të vajzës së pacientit, pasi ishte e lodhur dhe e dehidruar ka kërkuar që të ndalen të pijnë ujë dhe kafe pasi ka tre orë që po prit transport.Ekupi i ndihmës së shpejtë është ndalur dhe ky është momenti joetik pasi që edhe ata kanë dalë të pijnë kafe. Unë kam formuar komsion së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe më tej do të marrim masat e duhura për sanksionimin e ekipit të ndihmës së shpejtë”, tha Llozhanovski.
Për këtë ngjarje u deklaruan edhe nga Ministria e Shëndetësisë, nga thonë se ambulanca nuk lejohet të ndalet në atë mënyrë duke paralajmëruar masa disiplinore për ekipin e ndihmës së shpejtë.
“Edhe përkundër asaj që vajza e pacientit ka kërkuar, ambulanca nuk lejohet të ndalojë në atë mënyrë. Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar një kontroll dhe detaje nga drejtori i Shtëpisë së Shëndetësisë në Strugë. Pas konstatimit do të merren masat e duhura”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Pacienti, tashmë i ndjerë, është trajtuar në Klinikat e Shkupit dhe transportohej për në Strugë. Pacienti ishte në fazën terminale të kancerit dhe paraprakisht ishte vendosur në Klinikën e Gastroenterohepatologjisë në Shkup në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” dhe po ashtu ishte trajtuar në Klinikën e Onkologjisë. /KlanMacedonia/