Viktimat nga Covid-19 janë të shumta, por edhe “të paprekshmit” kanë rënë pre e tij. I tillë është rasti i trafikantit më të madh të drogës në Serbi, Dragoslav Kosmajaq, i cili ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të diele në Qendrën Klinike-Spitalore në Beograd.
Kosmajaq ka qenë një ndër njerëzit më të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike, por mungesa e provova ka bërë që të mos dënohet në vendin e tij.
Emri i tij u bë i njohur për publikun kur në verën e vitit 2014, atëherë kryeministri serb Aleksandar Vuciq e quajti atë “trafikantin më të madh të drogës” dhe njoftoi arrestimin e tij.
Ministri i Brendshëm në Serbi, Nebojsha Stefanoviq atëherë formoi një ekip special për të provuar lidhjen e Kosmajqit me krimin e organizuar, por dështuan.
Kosmajaq u arrestua dhe pasuria e tij u konfiskua përkohësisht, megjithatë, policia dhe prokuroria nuk dolën me prova për rolin e tij në tregtinë e drogës. Në vend të kësaj, ai u akuzua për evazion fiskal. /Gazeta Sinjali/