Sot ka vdekur ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Blerim Baruti.
I ndjeri ka qenë zyrtar i lartë në degën e LDK-së në Mitrovicë, ndërsa për një kohë ka qenë edhe zv.ministër në Qeverinë e Kosovës.
Baruti ka qenë duke punuar si profesor universitar në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë nipi i tij, Besart Baruti përmes një postimi në Facebook.
Për vdekjen e Barutit ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Mitrovicë.
Përmes një komunikate për media, kjo degë i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit.
“Me dhembje të thellë i njoftojmë të gjithë qytetarët e Mitrovicës se ka ndërruar jetë Prof. Dr. Blerim Baruti. Profa ishte anëtarë i Kryesisë së Degës dhe anëtar i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së. LDK, dega në Mitrovicë, shpreh ngushllime për familjen Baruti, miqtë dhe bashkveprimtarët e profës dhe të gjithë atyre që punuan me të. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës prof. Blerim”, shkruhet në njoftim
Postimi i plotë i nipit të Blerim Barutit, Besart Baruti:
Familjarë, miqë dhe dashamirë,
Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit, ndërroi jetë djali, vëllai, babai, gjyshi dhe axha ynë i dashur Prof. Dr. Blerim Baruti.
Dhashtë Zoti urtësia e tij, mirësia, dashuria që ka shpërndarë çdo ditë, të përcillen në këtë jetë.
Veprat e tij të mira do jetojnë gjatë!
Ata që e njohën padyshim që e ndjejnë pikëllimin së bashku me ne!
Nuk ka fjalë të përshkruhet kjo dhimbje e jona, por, Allahu ata që i do më shumë i merr afër vetes më herët!
Varrimi do të mbahet vetëm me rrethin e ngushtë familjar, për të respektuar masat e IKSHPK-se.
Ndërsa, të pame nuk do të ketë! /Gazeta Sinjali/