image Vdes gazetari Dermot Murnaghan, një vit pasi njoftoi se vuante nga kanceri i prostatës

Botë

Vdes gazetari Dermot Murnaghan, një vit pasi njoftoi se vuante nga kanceri i prostatës

news image

Gazetari dhe prezantuesi i njohur britanik Dermot Murnaghan ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare, rreth një vit pasi kishte bërë të ditur se ishte diagnostikuar me kancer të prostatës në fazën e katërt.

Ish-prezantuesi i “Sky News” kishte njoftuar për diagnozën në qershor të vitit të kaluar, përmes një deklarate emocionale në rrjetet sociale. Në atë kohë, ai kishte bërë të ditur se po reagonte pozitivisht ndaj trajtimit dhe se ndihej mirë.

Murnaghan u kishte bërë thirrje burrave mbi moshën 50-vjeçare, personave që u përkasin grupeve me rrezik të lartë dhe atyre që shfaqin simptoma, që të kryejnë kontrolle mjekësore.

Organizata “Prostate Cancer UK” e ka përshkruar atë si një mbështetës të përkushtuar, i cili kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit për këtë sëmundje.

Sipas organizatës, pasi Murnaghan e bëri publike diagnozën, më shumë se 28 mijë burra përdorën brenda një jave platformën online për vlerësimin e rrezikut, ndërsa rreth 24 mijë prej tyre rezultuan të ishin në grupet me rrezik të lartë.

Ai kishte marrë pjesë edhe në nisma për mbledhjen e fondeve për kërkime shkencore, duke ndihmuar njëkohësisht në ndryshimin e diskutimit publik për jetën me kancer të prostatës në fazën e katërt.

Përfaqësuesit e organizatës kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe miqtë e tij, duke theksuar ndikimin që pati në ndërgjegjësimin e mijëra burrave për rëndësinë e kontrolleve të hershme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/