image Vdekjet e punëtorëve në Kosovë as s'numërohen si duhet

Kosovë

Shifra/ Vdekjet e punëtorëve në Kosovë as s’numërohen si duhet

news image

Punëtorët në Kosovë, sidomos ata të ndërtimit, çdo ditë kur nisen për në punë janë të rrezikuar nga vdekja e panatyrshme.

Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, 15 punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës këtë vit vetëm në sektorin privat. Ndërkaq sipas Inspektoratit të Punës, janë 9 punëtorë që këtë vit kanë humbur jetën duke punuar, shkruan Gazeta Sinjali.

Ushtruesi i detyrës i Kryeinspektorit të Punës, Valon Leci, ka thënë se gjendja me vdekjet në vendin e punës “nuk është edhe aq alarmante”.

“Të vdesin nëntë persona në vendin e punës është numër i madh. Mirëpo sidomos në këtë vit, gjendja nuk është edhe aq alarmante”, ka thënë Leci.

Se Inspektorati i Punës do të dilte me shifra më të ulëta të vdekjeve në vendin e punës, e kishte parashikuar edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Në një intervistë për Gazetën Sinjali, Azemi ishte shprehur i bindur se janë 15 punëtorë që e kanë humnbur jetën këtë vit duke punuar.

“Në vitin 2019, deri më tash, me rastin e vdekjes së fundit i kemi 15 punëtorë të vdekur në vendin e tyre të punës. Mosha mesatare e tyre sillet rreth 27 vjet. Kemi humbje të jetëve si kamarier, kemi humbje të jetës në kazino, kemi vdekje në gurthyes, raste të ndryshme. Për momentin, edhe pse unë e di që inspektorët dalin me shifra tjera, por janë 15 raste, pa përfshirë edhe një rast në Gjilan ku djali i pronarit ka humbë jetën duke e pastruar pishinën. Përndryshe janë 15 raste me emër dhe mbiemër”, ka thënë Azemi.

Ushtruesi i detyrës i Kryeinspektorit të Punës, Valon Leci kishte pasur një konstatim tjetër edhe për vdekjen e Behram Behramit.

Përderisa Prokuroria dhe Policia dyshon se Behrami ka rënë nga kati i gjashtë i një ndërtese në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë, Leci tha se Behrami nuk ka rënë nga ndërtesa. Ai konstatonte se vdekja e Behramit kishte ndodhur natyrshëm.

“Vendi ku ka humbur jetën viktima, nuk ka qenë duke u punuar aty dhe nuk ka rënë nga lartësia. Pasi është kryer orari i punës, ai ka shkuar tek zhveshtoret, vend ky ku nuk ka qenë duke u punuar dhe punëtorët tjerë, kolegët e vet, duke e prit në kombi e kanë parë që nuk është edhe e kanë gjet të vdekur”, ka thënë Leci pas vdekjes së Behramit.

Arsyet dhe mënyrën e vdekjes nuk e dinë ende familjarët e Behram Behramit, por as nuk mund ta dinë njëherë. /Gazeta Sinjali/