image Vdekja e foshnjës së porsalindur në Spitalin e Prizrenit, bien në pranga tre mjekë

Siguri

Vdekja e foshnjës së porsalindur në Spitalin e Prizrenit, bien në pranga tre mjekë

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin Rajonal në Prizren, ku një foshnjë e porsalindur ka ndërruar jetë pak minuta pasi erdhi në këtë botë. Lidhur me rastin, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve të ndërmarra, janë identifikuar dhe janë arrestuar tre mjekë.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.

Kujtojmë se rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm dhe më pas babai i foshnjës ka njoftuar Policinë, pasi ai dyshon se kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së stafit mjekësor.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me shefin e repartit të Gjinekologjisë në Prizren, Sabajdin Gjini, por i njëjti ka refuzuar të prononcohet, duke thënë se me rastin tashmë po merren organet e hetuesisë.

S’muj me dhanë deklarata, se ajo ka ndodh herët në mëngjes. Merret tash Prokuroria. Nuk jam për prononcime. Merret hetuesia, foshnja është çu në obduksion, ekspertizën mjekoligjore, ka kush merret me këtë çështje”, tha Gjini për Sinjalin.

/GazetaSinjali/