Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të rëndë që ndodhi të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku një foshnjë e porsalindur ka ndërruar jetë dhe akoma nuk dihen shkaqet dhe rrethanat e rastit. Pacientja ishte duke u trajtuar në Gjinekologji qe disa ditë dhe dje morën lajmin e hidhur.
Për rastin tashmë është iniciuar hetimi, ndërsa Sinjali ka kontaktuar drejtorin e Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, për të marrë një deklaratë.
Ndrejaj tha për Sinjalin se gjendja po analizohet dhe se fryti e placenta tashmë janë dërguar për autopsi, ku pritet të zbulohet shkaku i vdekjes.
Ai shtoi po ashtu se janë marrë deklaratat e mjekëve, të cilët kanë dëshmuar lidhur me rastin.
“Jemi duke e analizuar gjendjen se si ka ardhur deri te vdekja e frytit brenda në mitër. Shkaqet munden me qenë të shumta. Janë marrë deklaratat e mjekëve kujdestarë. Fryti dhe placenta janë dërguar në autopsi për verifikim, mos është ndonjë shkak që ka lidhje me frytin apo placentën” – tha Ndrejaj për Sinjalin.
Ndryshe, pasi Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, janë intervistuar palët e përfshira, babai i foshnjës, si dhe mjekët në Gjinekologji.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti si ‘Hetim i vdekjes’.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.