image Vdekja e Deharit dhe zhdukja e mostrave, opozita: Kurti ka politizuar gjithçka duke përfituar nga ndjeshmëria e rastit

Politikë

Vdekja e Deharit dhe zhdukja e mostrave, opozita: Kurti ka politizuar gjithçka duke përfituar nga ndjeshmëria e rastit

news image

Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes u raportua se një person ka ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Pak më vonë u bë e ditur se ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, vdiq në mënyrë të papritur, shkruan Gazeta Sinjali.

Instituti i Mjekësisë Ligjore e vlerësoi vdekjen e Astrit Deharit si të dyshimtë dhe kërkoi autopsinë.

Gjatë asaj kohe ndodhën hetime, arrestime si dhe u angazhuan ekspertë të ndryshëm që kur Astrit Dehari, ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq në mënyrë të papritur më 5 nëntor 2016.

Në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje e pa vdekjen e Deharit si një dështim dhe përgjegjësi institucionale.

Kërkimi për drejtësi ndaj rastit të Astrit Deharit ishte shoqëruar me protesta nga Lëvizja Vetëvendosje.

Drejtesi per Astritin 241116 006

Vrasja e Astrit Deharit dhe mungesa e hetimit ishin çështje për të cilat Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, kishte sulmuar prej kohësh qeverinë. Mirëpo, rasti i vdekjes së Deharit mbetet ende një mister edhe sot.

Vite më pas, në kohën kur tashmë Lëvizja Vetëvendosje ka në dorë ekzekutivin, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se është informuar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga laboratori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të mërkurën në mbrëmje.

“Mbrëmë jam informuar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë”, ka thënë Haxhiu para gazetarëve.

image 82

“Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto, dy epruveta me gjak ja ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për AND”, tha Haxhiu në konferencën e jashtëzakonshme për media.

Reagime pati të shumta nga opozita, duke kritikuar e kërkuar dorëheqjen e ministres Haxhiu.

Menjëherë pas njoftimit për zhdukjen e mostrave të Deharit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka konfirmuar nisjen e hetimeve për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Nga ana tjetër, edhe pse kryeministri Kurti ishte një nga kritikët më të zëshëm të rastit gjatë kohës që ishte në opozitë, ai ende nuk ka komentuar njoftimin për humbjen e mostrave të Astrit Deharit.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në një prononcim për Sinjalin, ka thënë se ndryshimi i kërkesës së kryeministrit Kurti për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit dhe qytetarëve të tjerë është se Kurti ka tentuar ta politizojë rastin në fjalë.

Sipas saj, Kurti arriti të përfitoi nga ndjeshmëria e rastit.

“Albin Kurti sa ishte në opozitë ishte shumë i zhurmshëm. Për çdo temë ai krijonte kauza të cilat jo rrallëherë e kanë dëmtuar shoqërinë dhe shtetin. Në mungesë të temave, ai krijonte situata të tilla përmes së cilave manipulonte emocionalisht qytetarët e këtij vendi. Kërkesat e tij për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit nuk ishin ndryshe nga kërkesat e gjithsecilit qytetar të Republikës së Kosovës, por në rastin e Albin Kurtit kemi të bëjmë me një aspekt shumë specifik, atë të politizimit të rastit në fjalë. Albin Kurti dhe bandat e tij nuk i kursyen as prindërit e Astritit dhe as aktivistët e tyre të sinqertë të cilët më të vërtetë mendonin se po ndihmojnë në zbardhjen e rastit duke e bartur propagandën e Albinit gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Në fund të fundit Albini përfitoi nga ndjeshmëria e rastit dhe tani nuk i bëhet vonë sepse ky njeri nuk bashkë ndjen me këtë shoqëri, ky njeri është një narcizoid i tipit klasik dhe përveç vetës së tij nuk sheh asgjë dhe asnjëri tjetër”, tha Musliu për Sinjalin.

Tutje, lidhur me deklaratën e ministres Haxhiu për humbjen e mostrave, Musliu tha se kjo dëshmon qartë se qëndrimet e atyre që tentonin t’i demaskonin propagandat e Vetëvendosjes gjatë asaj kohe ishin të drejta.

“Kur kemi të bëjmë me deklaratën e ministres Haxhiu për humbjen e mostrave, them se kjo deklaratë e fakton qëndrimin e atyre personave të cilët, gjatë gjithë kohës, janë përpjekur për ta demaskuar propagandën e VV-së për rastin Dehari. Sa ishte VV në opozitë, kjo ministre dhe disa zyrtarë të lartë të këtij sekti ideologjik, për çdo gjë dilnin në publik bashkë me familjarët e Astritit dhe fajësonin institucionet shtetërore për dështim, për manipulim dhe për fshehje të fakteve. Tani nuk kam parë të veprojnë njëjtë dhe kjo është e dhimbshme. Është e dhimbshme edhe heshtja e vet babai të të ndjerit që sot mbanë ulësen e deputetit të Albin Kurtit”, potencoi deputetja e PDK-së.

Musliu po ashtu u ndalë te deklarata e ministres Haxhiu lidhur me paralajmërimin për dorëheqje nëse vërtetohet se e njëjta ka përgjegjësi në këtë rast.

“Por, përtej emocioneve njerëzore, të ndalemi në  një prononcim të Albulena Haxhiut ku thotë se nëse vërtetohet faji i saj ajo është e gatshme të ofrojë dorëheqjen. Sa injorante mund të jetë një Ministre për ta bërë këtë deklaratë? Një Ministre duhet ta dijë se kur vërtetohet faji ajo shkarkohet dhe përfundon në pranga. Në rastin aktual, duke e risjellur në mendje gjithë akuzat që ajo dikur ia bënte ish zyrtarëve përgjegjës, gjuhën që ajo e përdorte dhe kauzat e pështira që ajo i mbështeste, dorëheqja morale si Ministre e Drejtësisë e cila për pothuajse dy vite nuk ka arritur asnjë rezultat në punën e saj dhe nën menaxhimin e saj sistemi i drejtësisë ka pësuar shumë, do të ishte akti më të cilin do të jepte një mesazh shprese për marrjen e drejtimit të duhur, atë të llogaridhënies personale, morale  dhe institucionale. Çdo deklaratë tjetër, çdo veprim tjetër është hipkrizi e pastërt”, deklaroi ajo.

Më tej, Musliu tha se kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu duhet të kërkojnë falje publike nga qytetarët e vendit për manipulimet dhe dëmtimin e imazhit të shtetit.

“Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe zyrtarë të lartë të VV-së që sot i kemi edhe në qeveri, e kanë për obligim që ti kërkojnë falje publikisht, jo opozitës, por qytetarëve të këtij vendi, për manipulim të qëllimshëm dhe për dëmtim të reputacionit të imazhit të shtetit dhe të shoqërisë”, tha Musliu.

Vazhdoi të kritikojë kryeministrin Kurti për keqqeverisje lidhur me fenomenin e emigrimit në rritje si dhe rastet e fundit të vrasjeve ndaj grave në Kosovë.

“Pasojat e propagandës së Albin Kurtit ky vend po i vuan ende. Rinia jonë po merr rrugët e botës, por si për çudi kjo nuk i bie më në sy Albinit, kemi disa vrasje dhe vetëvrasje të personave nën mbikëqyrjen e institucioneve, por as kjo nuk ja vret mendjen Albin Kurtit. Kemi situatën e krijuar qëllimshëm në veri të vendit, por Albin Kurti e sheh më të arsyeshëm ekskursionin e tij propagandues nëpër komuna se sa gjendjen e policisë dhe të FSK-së”, pohoi ajo.

Në fund, Musliu pohoi se shpreson që shoqëria ta ketë kuptuar se shteti nuk duhet testuar me njerëz si Albin Kurti.

“Thjeshtë, jo vetëm rasti i Astrit Deharit por çdo kauzë e Albin Kurtit është një gënjeshtër dhe një manipulim i radhës për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe shpresoj shumë që ky popull ta ketë kuptuar se një narcizoidi nuk i intereson mirëqenia e tij. Shpresoj që ky popull ta ketë kuptuar më në fund se shteti nuk behët dhe nuk mbahet duke provuar personat si Albin Kurti i cili rreth 50% të qytetarëve i quan analfabetë dhe që nuk duhet përkrahur asnjë person publik i cili jetesën në Kosovë nuk e sheh të denjë për familjen e vet”, përfundoi ajo

Ndërsa aktivisti i PSD-së, Bardh Ahmeti, në një prononcim për Sinjalin, ka thënë se që nga ardhja në pushtet, kryeministri Kurti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret. Kjo, sipas tij, nxjerr në pah një mentalitet instrumentalist të Kurtit dhe VV-së.

Ai ka akuzuar Kurtin se që nga ardhja në pushtet e ka rikthyer kujtimin e Deharit vetëm në raste përvjetorësh apo ndonjë sulmi ndaj kundërshtarëve politikë.

“Rasti i Astrit Deharit është shembulli kyç për mendësinë instrumentalizuese të Kurtit e Vetëvendosjes. Sa s’ishin në pushtet, emri i përmendej në çdo takim e në çdo tubim. Tash, zgjedhin heshtjen. As nuk kanë ndërmarrë hapa konkret për zbardhjen e rastit. E gjëja më skandaloze, humbja e mostrave të marra nga Astriti, humbën pikërisht në qeverisjen e tyre. Kurti nuk e ka problem të shfrytëzoj vdekjen e një aktivisti politik si Astriti veç për të ardh në pushtet. E pasi erdhi në pushtet, Astriti rikthehet në kujtesën e tij vetëm për përvjetorë e për ndonjë sulm të ulët drejtuar kundërshtarëve politikë.” – deklaroi Ahmeti.

Kujtojmë se pak pas nisjes së hetimeve, rreth orës 17:30, Ministria e Drejtësisë ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm, ku bëri të ditur se janë pezulluar katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

/GazetaSinjali/