Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Podujevë, ku një person ka humbur jetën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë. Viktima po merrte trajtim mjekësor pasi ishte prekur nga gripi sezonal, ku edhe i është përkeqësuar gjendja dhe më pas ka ndërruar jetë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka raportuar se viktima është 36-vjeçari Fatlum Ahmeti.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, 36-vjeçari ka qenë i shtrirë në QKMF-në e Podujevës duke marrë infuzion për shkak të gripit sezonal, ku papritur i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe për pasojë është ndarë nga jeta.
Për rastin është informuar Policia e Kosovës, ndërkaq Sinjali mëson se familjarët e viktimës kanë deklaruar në Polici se 36-vjeçari nuk ka pasur ndonjë problem tjetër shëndetësor, përpos gripit.
Në lidhje me këtë rast, për Sinjalin është prononcuar edhe drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Podujevës, Adelina Stublla.
Ajo ka konfirmuar raportimin e Sinjalit, ku ka bërë të ditur se viktimës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore derisa po e merrte infuzionin.
“Pacienti ka kërkuar ndihmë mjekësore në mjekësi familjare ku është kontrolluar nga mjeku specialist familjar dhe i është caktuar marrje e terapisë infuzive dhe gjatë marrjes së infuzionit ka ndodhë përkeqësim i gjendjes së pacientit.
Ai është reanimuar nga stafi shëndetësor (mes tyre edhe dy specialiste të mjekësisë familjare) në dhomën e reanimimit, pastaj kanë vazhduar dy ekipe të urgjencës, ku vetë shefi i urgjencës, specialist për emergjencë e ka marrë rastin në dorë të cilët kanë kryer veprimet protokollare, por pa sukses rikthimi në jetë”, ka potencuar Stublla.
Trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Ndërkaq, Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e detajve të tjera, ndërsa me urdher të prokurorit rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.