Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në familjen Haliti të Gjilanit, ku tre anëtarët e familjes, Afrimi, Elfetja dhe Ferdinazja kanë vdekur për shkak të dyshimit se janë helmuar në ushqim derisa ishin në Shqipëri, shkruan Gazeta Sinjali.
E lidhur me këtë rast dy mjekë nga Durrësi janë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i Pakujdesshëm” lidhur me rastin e vdekjes së tre anëtarëve të familjes Haliti nga Gjilani.
Shkak i helmimit të tre familjarëve nga Kosova dyshohet të jetë helmimi nga kërpudhat të cilat pasi i kanë mbledhur vetë i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qendrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe ( familjarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.