image Vazhdon aksioni “Brezovica”, bastisen 12 lokacione në disa qytete

Siguri

Vazhdon aksioni “Brezovica”, bastisen 12 lokacione në disa qytete

news image

Aksioni në rastin “Brezovica” po vazhdon edhe sot në disa qytete. Prokurori Rasim Maloku e ka konfirmuar se aksioni policor po zhvillohet në 12 lokacione të vendit.

Prokurori i Krimeve të Rënda në Ferizaj, Rasim Maloku, ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se operacioni nuk ka përfunduar ende, ndërkohë që bastisje ka në Prishtinë, Ferizaj, Lipjan, Skenderaj.

Pjesa e parë e aksionit të njohur si ‘Brezovica’ ishte zhvilluar më 21 dhjetor të vitit të kaluar, ku janë arrestuar 10 persona, ndër ta edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Nikoliq dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, por edhe “ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore”.

Ai dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.

/GazetaSinjali/